Kompania Moderna: Vaksina kundër COVID-19 ofron mbrojtje mbi 95%

Në harkun e një jave Amerika ka siguruar një tjetër vaksinë që është zbuluar se shëron të sëmurët me Covidin-19 në 95 për qind të rasteve. Vaksina e kompanisë "Moderna" është më e menaxhueshme, ndërkaq, pasi ruhet në temperatura standarde frigoriferike.

Një vaksinë e re amerikane premton mbrojtjen më efikase kundër sëmundjes së Covid-19.

Kompania farmaceutike "Moderna" me seli në SHBA njoftoi se me përfundimin e fazës së fundit të testimit, vaksina e tyre rezulton 94,5 për qind efektive ndaj virusit të ri korona.

Testet e zhvilluara me 95 nga 30 mijë pacientë vullnetarë treguan se efektet anësore janë minimale dhe zgjatin për një kohë të shkurtër, me përjashtim të dhimbjeve trupore dhe një lodhje e përgjithshme fizike që u raportua nga disa pacientë pas marrjes së dozës së dytë.

Ajo që inkurajoi zbuluesit e vaksinës, ndërkohë, është efikasiteti tejet i lartë i vaksinës te moshat e vjetra, ata më në rrezik dhe te personat e sëmurë rëndë me virozën vdekjeprurëse.

Është ende herët për të përcaktuar kohëzgjatjen e imunitetit ndaj virusit, por kompania do të kërkojë autorizim për përdorimin me urgjencë të vaksinës brenda disa javëve.

Në të njëjtën fazë ndodhen edhe kompania tjetër amerikane, "Pfizer", së bashku me gjermanët e BioNTech të cilët po ashtu kanë vërtetuar 90 për qind efikasitet në mposhtjen e koronavirusit.

Teknologjitë e tyre mbeten të njëjta: kthimi i qelizave të njeriut në një fabrikë antitrupash që ndalojnë shumëfishimin e proteinave të rrezikshme nëpër organizëm.

Por avantazhi kryesor i vaksinës së re të "Moderna-s" qëndron edhe te magazinimi i tyre në frigoriferë në temperatura normale 2 deri 8 gradë Celsius për 1 muaj ose -20 gradë Celsius për 6 muaj, ndërkohë që vaksina e "Pfizer-it" kërkon kushte specifike me temperaturë -70 gradë Celsius.

Më herët drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se vaksinat nuk janë në vetvete të mjaftueshme për ta mposhtur pandeminë e koronavirusit të ri, por janë një instrument shtesë në arsenalin e masave, si testimi, karantina dhe gjurmimi i kontakteve.

Covid-19 ka infektuar gati 55 milionë njerëz dhe mbi 1 milion e 300 mijë janë viktimat në botë.

Qeveria amerikane ka paguar mbi 1 miliard e gjysmë dollarë për 100 milionë doza të vaksinës së re.

Kompania shpreson të prodhojë mes 500 dhe 1 miliard dozave vitin e ardhshëm, ndërsa në muajin gusht informoi se çmimi për klientë të caktuar në këtë kohë pandemie shkon deri 37 dollarë doza.