Furtuna "Eta" lë rreth 150 viktima, banorët të groposur në banesa
Është rritur në afro 150 bilanci i viktimave të furtunës "Eta" në Amerikën Qendrore. Dëmet më të mëdha në njerëz raportohen në shtetin e Guatemalës.
Të paktën 150 njerëz mendohet të kenë mbetur viktima të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga uragani me emrin "Eta" në Amerikën Qendrore.
Autoritetet guatemalase zbuluan vetëm në një nga fshatrat e vendit me dhjetëra banesa dhe mbi 100 njerëz të groposur brenda tyre.
Operacionet e evakuimit u vështirësuan edhe për vetë forcat e kërkim-shpëtimit që u detyruan të përdorin litarët për të lëvizur mes baltës së dendur.
Me dhjetëra banorë të fshatit të Kuehës janë ende në kërkim.
Erërat e forta dhe shirat e rrëmbyer dëmtuan edhe mijëra banesa e shkaktuan më shumë se 50 jetë të humbura në shtetet fqinje të Hondurasit, Kosta-Rikës dhe Nikaraguas.
Rreziqe nga përmbytjet dhe vërshimi i lumenjve raportuan edhe shtetet e Xhamajkës, jugu i Meksikës dhe Kuba.
Evakuimet ushtarake në disa prej tyre u mundësuan me helikopterë dhe motoskafë pasi rrugët dhe urat lidhëse dolën jashtë funksionit.
Shumë banorë kanë mbetur pa ushqime prej ditësh, dhe sipas UNICEF-it, rreth 1 milion e gjysmë të prekur janë fëmijë.
Furtuna "Eta" zbarkoi të martën në shtetin e Nikaraguas me erëra që arrinin shpejtësinë 240 kilometra në orë, por ndërsa uli fuqinë në brendësi të territorit, u shoqëruar me shira të rëndë.
Fatkeqësitë e fundit u kujtuan shumë banorëve të rajonit dëmet e uraganit "Miç" që në vitin 1998 do vriste gati 10 mijë veta në Amerikën Qendrore.