Biden, optimist për fitoren, i duhen vetëm 20 vota

Kandidati për president i Amerikës, Xho Bajden, është i bindur se do i fitojë zgjedhjet pasi po e zgjeron diferencën me vota me kreun aktual të shtetit, Donald Trump. Demokratit i duhet vetëm fitorja në shtetin e Pensilvanisë për t'u shpallur presidenti i 46-të i SHBA-së.

Ish-zv.presidenti amerikan dhe pretendenti për të marrë Shtëpinë e Bardhë, Xho Bajdeni, kryeson dukshëm rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe beson se do i fitojë ato.

Demokrati tani kryeson kundrejt presidentit Donald Tramp në shtetet e Pensilvanisë, Xhorxhës, Arizonës dhe Nevadës që nëse do i fitonte do i siguronin atij mbi 300 vota elektorale.

Trampi numëron tani 214 nga 270 votat që i duhen për ta udhëhequr presidencën për herë të dytë.

"Ora-orës po bëhet e qartë se një numër rekord amerikanësh të të gjitha racave, besimeve dhe feve zgjodhën ndryshimin, na dhanë ne mandatin të veprojmë për Covid-in, ekonominë, ndryshimet klimatike dhe racizmin sistematik. Ata e bënë të qartë se duan bashkimin dhe jo përçarjen e shtetit. Në përgjegjësinë time si president, unë do përfaqësoj të gjithë kombin."

Ndërsa kanë kaluar 5 ditë nga zgjedhjet, mbeten edhe mijëra vota për t'u numëruar, ndërkohë që kontestimet e republikanëve për manipulime në votime pritet ta zgjatin më tej procesin.

Kreu aktual i shtetit pretendon se votimi me postë që preferohet kryesisht nga votuesit demokratë është kryer në mënyrë të parregullt dhe se republikanët janë sabotuar në këtë drejtim.

Trampi nuk e ka pranuar humbjen dhe ka ende shpresa për fitoren.

Partia në pushtet ka mbledhur mbi 60 milionë dollarë për të mbuluar shpenzimet gjyqësore në shtetet më të kontestuara, dhe pritet t'i drejtohet edhe Gjykatës së Lartë.

Për sa i përket Kongresit, demokratët kanë arritur ta mbajnë Dhomën e ulët të Përfaqësuesve, teksa Senati u mbetet republikanëve duke i krijuar kështu probleme kundërshtarëve politikë.