BE sanksione kundër Lukashenkos, në listën e zezë edhe i biri dhe 13 zyrtarë shteti

Bashkimi Evropian ka ndëshkuar Aleksandër Lukashenkon, djalin e tij dhe 13 zyrtarëve të tjerë bjellorusë për dhunën, arrestimet e pajustifikueshme ndaj protestuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve presidenciale.

Bashkimi Europian ka vendosur sanksione kundër presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, dhe 14 zyrtarëve të akuzuar për manipulim zgjedhjesh dhe për shtypjen e opozitarizmit.

Lukashenkos dhe afro 50 funksionarëve të tjerë të Bjellorusisë u janë bllokuar vizat dhe asetet financiare që kanë në shtetet anëtare të BE-së dhe nuk u lejohet të marrin kredi nga institucione apo persona në këto vende.

Në listën e zezë është futur edhe djali i presidentit që ai e ka punësuar si këshilltar për çështjet e sigurisë kombëtare.

"Si president i Bjellorusisë që ka autoritet mbi organet e tjera shtetërore, Lukashenko është përgjegjës për represionin e ndërmarrë nga aparati i Shtetit përpara dhe pas zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës, veçanërisht për përjashtimin e kandidatëve opozitarë, për arrestimet arbitrare e trajtimin brutal të demonstruesve, dhe për kanosjen e dhunimin e gazetarëve," sqaroi Këshilli i BE-së në vendimin e vet.

Edhe Kanadaja propozoi të premten masa ndëshkimore kundër zyrtarëve të tjerë të qeverisë bjelloruse.

Ish-ushtaraku 66-vjeçar, Lukashenko, e udhëheq presidencën prej 26 vitesh që kur ai post u krijua më Kushtetutë në vitin 1994 pas periudhës sovjetike.

Me fitoren sërish në muajin gusht, shoqëria civile nisi një lëvizje antiqeveritare e cila ende vazhdon të kundërshtohet me dhunë pas gati 13 javësh, ndërsa kreu i shtetit ka mohuar akuzat për manipulime zgjedhjesh apo fillimin e dialogut me opozitën politike.

Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkon si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.