Muçi: Pasuritë e presidentit të RTV Ora e Ora News kanë pësuar rënie drastike, shteti do kompensojë çdo qindarkë

Sekuestrimi i pasurive të presidentit të RTV Ora e Ora News dhe administrimi i  tyre nga shteti, i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare. Madje as vetë televizioni nuk është në gjendje të mbulojë shpenzimet, ndërsa disa aktivitete të tjera kanë pezulluar punën. Në kushte të tilla, avokati Besnik Muçi shpreh bindjen se të gjitha këto humbje do të kompensohen nga shteti.

Muçi: Ligji Antimafia detyron shtetin që në administrimin e pasurive të sekuestruara, të mbajë konstante të ardhurat e saj, dhe nëse është e mundur, ta rrisë vlerën e pasurisë. Nëse shteti nuk e realizon dot këtë detyrë ligjore, atëherë duhet të heqë dorë, ta bllokojë por ta lërë të administrojë ai që është pronar. Nga informacionet që kemi marrë nga i mbrojturi prej nesh, konstatuam që disa biznese kanë pezulluar aktivitetin, televizioni vetë nuk është në gjendje të shlyejë të gjitha detyrimet financiare. Në këto kushte, sa kohë që vlera e biznesit bie, është përgjegjësi e shtetit. Natyrisht të gjitha këto do të kompnesohen, është e padiskutueshme. Sepse gjendja e kësaj pasuri deri me datë 31.07.2020 do të përdoret si bazë për çdo lloj veprimi të mëtejshëm.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online, E.T