Betonizimi i Kodrës së Diellit, Sazan Guri në gjyq me Agikons: Kam thënë pak, do them më tepër

"Ajo kodër është tektonike, e cila ka nga ana perëndimore, nga ana e Sharrës, gjithë kjo kodra i mbihipën nga ana e lindjes perëndimit dhe ka një prishje tektonike të thellë dhe të lëvizshme."

Ishte kjo deklarate e profesor Sazan Gurit dhënë për mikrofonin e Ora News që solli si pasojë një padi penale nga ana e kompanisë Agikons. 

Një padi e tillë regjistrohet për herë të parë në Shqipëri ndaj një ambientalisti dhe një eksperti mjedisi për qëndrimet e tij profesionale.

Të mërkurën e 28 tetorit, gjykata zhvilloi seancën e pajtimit mes palëve.

Sipas profesor Gurit, përfaqësuesit e kompanisë Agikons i kanë kërkuar të përgënjeshtrojë vetëveten.

"Gjykata tentoi për herë të dytë të na pajtonte me kompaninë Agikons dhe mesa kuptova dhe ma shprehu avokati i kompanisë, nëse ti thua gjëra të ndryshme nga çfarë ke thënë më përpara atëherë mund të quhet gjyq i mbyllur. Kam thënë pak radhën e parë, do të them atë dhe më tepër si është e vërteta".

Megjithë çështjen që tanimë ka kaluar për gjykim, Sazan Guri i qëndron deklaratës dhe studimit të kryer.

"E konfirmoj edhe me prova më të pakontestueshme."

Ambientalisti, Sazan Guri, në këtë proces gjyqësor mbrohet nga avokati Altin Goxhaj.

Ata shprehin bindjen se asnjë gjykatë në Shqipëri apo në botë, nuk mund të hedhë poshtë studime shkencore me fakte të mbledhura gjatë proceseve studimore disa vjeçare.