Mësim online dhe në auditore, Universiteti i Shkodrës gati për vitin akademik

Universiteti i Shkodrës është gati të nisë vitin e ri akademik me 2 nëntor. Mësimi, ashtu si edhe në universitetet e tjera, do të zhvillohet online për grupet me shumë studentë, por do të alternohet edhe me pjesëmarrje fizike në auditore nën rregullat e rrepta të vendosura për shkak të koronavirusit.

Universiteti "Luigj Gurakuqi" në Shkodër do të presë 1100 studentë të rinj, dhe gjithsesj 11 mijë studentë në të gjithë degët në vitin akademik 2020-2021, që nis në 2 nëntor.

Për shkak të pandemisë, rregullat e vendosura përcaktojnë qartë edhe mënyrën se si do të kryhen leksionet dhe seminaret për secilin fakultet.

Në këtë universitet, leksionet pritet të zhvillohen online në ato degë ku ka numër të lartë studentesh, ndërsa seminaret, praktikat dhe laboratorët do të zhvillohen në auditore.

Ajo që cilësohet pozitive për këtë universitet është rritja e numrit të studentëve krahasuar me një vit më parë.

Në të gjitha universitetet në Shqipëri, mësimi pritet të nisë mes alternimit të seancave online dhe pjesëmarrjes fizike në auditore.