Kopliku: Kthimi i 5 shqiptarëve nga Siria, i vetmi lajm i mirë këtë vit. Dyrmishi: Janë edhe 55 shqiptarë në Al-Hawl
I ftuar në RTV Ora përballë gazetares Beti Njuma ishte edhe gazetari Taulant Kopliku. Ai ishte i pari që hodhi dritë mbi rastin e Alvin Berishës, një tjetër fëmije që kishte ngelur në kampin Al-Hawl në Siri. Kopliku përgëzoi arritjen e qeverisë shqiptare, ndërsa shpreson për nxjerrjen edhe të shqiptarëve të tjerë që kanë mbetur atje, që janë jo pak në numër.
Kopliku: Besoj që ky lajm i kthimit të 4 fëmijëve dhe një zonje është lajmi më i mirë i vitit. Shpresoj që edhe fëmijët e tjerë të kthehen sa më shpejt, sepse lajmet që po marrim janë të mira. Këto fëmijë e kanë të shënuar në jetën e tyre këtë periudhë të kaluar në Siri. Edhe Alvin në fillim, ashtu sikurse edhe Endri sot, po të shikoni me vëmendje videot, ka disa përgjigje të thata ndaj pyetjeve të të atit.
Kjo të bën të kuptosh që fëmijëria e tyre nuk ka qenë aspak e qetë. Këta fëmijë kanë kaluar probleme që i demonstrojnë në momentin e parë të përballjes me një realitet tjetër. Këto kohë në kampin Al-Hol është një situatë shumë e vështirë. Por shpresojmë që do të kalojë.
Nga ana tjetër edhe studiuesi i çështjeve të sigurisë, Arjan Dyrmishi tregoi në studion e RTV Ora se çfarë po ndodh me shqiptarët në kampin Al-Hol. Tashmë edhe një pjesë e madhe e tyre janë atje.
Dyrmishi: Aty ka pasur fëmijë që kanë lindur në atë territor, në kamp dhe nuk njohin një realitet tjetër. Këta persona do të kenë një vështirësi integrimi me rregullat e një shoqërie tjetër. Për të miturit është një problem pasi nuk janë koshientë për veprimet e tyre.
Ndërsa për pjesën e rritur, kjo ka qenë një zgjedhje. Forcat kurde që i kanë nën kontroll kampet, duan që të nënshtrojnë një hetim për këta persona. Vlerësohet se ata mund të jenë diku te 55 persona në kamp. Është e arsyeshme që të mos publikohen numra për këto kampe.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online e.t