Stërvitja ‘Shpata e mprehtë’, kundër pranisë së madhe ushtarake kineze

Japonia dhe Shtetet e Bashkuara filluan të hënën një stërvitje masive ushtarake në det, ajër dhe tokë në shenjë force përbri veprimtarisë së shtuar ushtarake të Kinës në rajon.

Manovra e quajtur ‘Shpata e Mprehtë’, është e para që kur në pushtet erdhi kryeministri i ri japonez Yoshihide Suga, i cili është zotuar t’i kundërpërgjigjet rritjes ushtarake të Kinës në Detin Lindor.

Manovra ‘Shpata e Mprehtë’, që mbahet zakonisht çdo dy vjet, përfshin dhjetëra luftanije, qindra avionë luftarakë dhe 46 mijë ushtarë, marinarë dhe marinsa nga Japonia dhe ShBA-ja. Manovra do të vazhdojë deri më 5 nëntor dhe për herë të parë do të përfshirë edhe përgatitje për luftën kibernetike dhe elektronike.

“Gjendja e sigurisë përreth Japonisë është përkeqësuar së fundi. Kjo stërvitje na jep mundësinë për të treguar fuqinë tonë dhe të aleancës Japoni - ShBA,” tha gjenerali Koji Yamazaki, kryekomandanti i ushtrisë japoneze në këtë manovër.

Luftanija më e madhe e Japonisë shoqërohet në këtë stërvitje nga aeroplanmbajtësja amerikane ‘Ronald Reagan’ dhe disa destrojerë.

Në përpjekje për të shtuar aleatët kundër Kinës në rajonin e Azisë Juglindore, kryeministri japonez Yoshihide Suga, vizitoi më herët këtë muaj Vietnamin dhe Indonezinë. Kjo erdhi pas takimit në Tokio të grupit “Quad”, që përfshin Indinë, Australinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara. Ky bashkimin fuqish ushtarake është kundërshtuar nga Kina që thotë se qëllimet e saj ushtarake në rajon janë tërësisht paqësore. Japonia dhe Kina janë në mosmarrëveshje ushtarake për disa ishuj në Detin e Kinës Lindore që të dy palët i quajnë Senkaku dhe Diaoyu, përkatësisht.