Bjellorusi, skadon ultimatumi i opozitës

Aleksandër Lukashenko shpërfill kërkesën për largimin e tij

Rreth 100 mijë demonstrues në Minsk, ndalen nga policia

Në Bjellorusi ka nisur një grevë kombëtare pasi nuk u respektua ultimatumi i opozitës për dorëheqjen e presidentit Lukashenko.

Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i ka shpërfillur kërkesat e opozitës politike për largimin e tij, për ndaljen e dhunës dhe për lirimin e të burgosurve politikë.

Rreth 100 mijë qytetarë demonstruan të dielën në rrugët e Minskut dhe qytetet e tjera për të 11-n fundjavë radhazi, me flamujt kombëtarë në duar dhe me thirrjet "largohu" e "ultimatum".

Marshi i tyre në mbrëmje në drejtim të rezidencës së Lukashenkos u ndal me dhunë, me granata tymuese, plumba gome e arrestime nga forcat e rendit.

Ministria e Brendshme në Bjellorusi nuk e ka përjashtuar përdorimin e plumbave të vërtetë nëse vërehet një radikalizim i demonstratave.

Opozita tashmë ka paralajmëruar një grevë të përgjithshme që nisi të hënën me synimin për të paralizuar ekonominë e vendit për ta detyruar presidentin të heqë dorë nga pushteti.

"Regjimi u tregoi bjellorusëve edhe një herë se njeh veç forcën. Ne së bashku jemi më të fortë se çdo regjim dhe do i kthejmë Bjellorusisë rendin ligjor," theksoi kryeopozitarja Svetlana Tikanovskaja nga Lituania.

Në vendin fqinj ajo po jeton familjarisht për arsye sigurie, që kur nisën protestat kundër rikthimit në presidencë për herë të gjashtë të 66-vjeçarit Lukashenko.

Opozita bjelloruse është vlerësuar nga Bashkimi Europian për aksionin e saj demokratik, ndërsa dhjetëra zyrtarë të akuzuar për manipulim zgjedhjesh janë ndëshkuar me sanksione.

Vetë Lukashenko nuk njihet si president i ligjshëm nga BE-ja apo SHBA-ja dhe ka refuzuar t'i nënshtrohet presionit të huaj.