Shqiptarët janë më pesimistë se mesatarja botërore, Mërtiri: Ëndrra europiane e '90 është vonuar

Shqiptarët janë më pesimistë se mesatarja botërore, kur vjen puna te pritshmëritë për të ardhmen.

Kështu thotë një sondazhi global i zhvilluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me rastin e 75-vjetorit të OKB-së.

Pyetjes “Në tërësi, a mendoni se njerëzit në 2045 do të jenë më mirë, më keq, ose njësoj në krahasim me atë që janë sot?”, 46% e shqiptarëve i janë përgjigjur më keq.

Kjo përqindje është më e lartë sesa mesatarja globale, ku 32% e të anketuarve në rang global i janë përgjigjur që mendojnë të jenë më keq.

Lidhur me këtë temë, i ftuar në Ora News ishte sociologu Ergys Mërtiri.

Sipas tij, kjo lidhet me pritshmëritë pas rrëzimit të regjimit komunist dhe me atë çfarë po ndodh realisht në vend.

Ergys Mërtiri: "Nëse bëjmë një analizë më të gjerë, shqiptarët kanë dalë në vitet '90 nga një sistem terrorizues, nga një terror politik, nga një varfëri ekstreme. Dhe krijuan atë që quhet ëndrra europiane me idenë "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" duke menduar se edhe Shqipëria shumë shpejt do të ishte si gjithë vendet e tjera.

Mirëpo rruga zgjati shumë dhe duket se nuk po i mbërrijmë vendet e tjera të Europës. Sigurisht, ne sot jetojmë më mirë se në kohën e Enverit por kjo nuk mjafton. Por kjo nuk do të thotë se kjo mjafton. Kërkesat dhe pritshmëritë tona janë rritur. Kërkesat për jetën janë të tjera".

Sa i përket aktualitetit politik në vend, i pyetur nga gazetari Sebastian Zonja se, "Si mund të çohet përpara një projekt politik i një autoritarizmi në një vend që ka vuajtur një nga diktaturat më të tmerrshme në botë?", Mërtiri dha këtë përgjigje:

"Çohet përparja përmes propagandës, përmes topitjes të të menduarit. Duke mos i lënë njerëzit të reflektojnë mbi realitetin që kanë. Duke i mundur njerëzit me spektakël, me gjithçka që i tërheq vëmendjen. Po të shohësh, vendimet politike të Ramës nuk janë vendime që kanë ndikim në qeverisje. Janë vendime për të prodhuar mediazitim, jo vetëm thjesht propagandë.

Rama merr vendime kundër qeverisë por merr vendime për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të vendit".