Koncesionet dhe PPP-të/ Zhupa paralajmëron: Do të shihen me imtësi të gjitha dosjet. Çdo zyrtar që ka firmosur, para përgjegjësisë
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me Skype për Ora News, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka folur edhe një herë mbi temën kryesore të aktualitetit në vend, atë të inceneratorëve.
Sipas zëdhënëses së selisë blu, kryeministri Edi Rama ka shkelur ligjin teksa dha koncensionet e inceneratorëve, ndërsa shtoi se as sot, asnjë nuk e di kush janë pronarët e vërtetë të tyre.
Zhupa shtoi se, këto kompani janë guacka dhe të fshehura në parajsa fiskale.
“Kjo histori ka nisur në vitin 2017 kur njëdore iu dha brenda 24 orësh kontrata qindramilionë euro për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Tiranë dhe në Fier. Edi Rama duke shkelur ligjin për prokurimet publike, duke mos bërë një njoftim 50-ditor në mediat ndërkombëtare, duke mos bërë garë ndërkombëtare, duke mos patur kritere teknike dhe as term reference, ia dha koncensionin e inceratorëve Mirel Mërtirit, ose Klodian Zotos, pasi pronarët e vërtetë të inceneratorëve ne nuk i dimë edhe sot që flasim së bashku. Sepse kompania është guackë dhe e fshehur në parajsa fiskale”, tha Zhupa.
Ajo paralajmëroi se, me ardhjen në pushtet të demokratëve këto dosje do të kalojnë në "sitë".
“Sapo Partia Demokratike të marrë qeverisjen e vendit, kemi paraqitur sot, edhe ju u transmetuat, mënyrat, format ligjore se si do të procedohet me të gjitha PPP-të, koncensionet korruptivë, tenderat korruptivë që ka ndërmarrë qeveria Rama", paralajmëroi Zhupa.
Matilda Macini: Nëpërmjet Ligjit Anti-Mafia...
Ina Zhupa: Ekzakt. Nëpërmjet Ligjit Anti-Mafia, duke gjurmuar çdo kontratë dhe duke parë çdo kontratë në termat e tyre ligjore nëse, në rradhë të parë, ka kompani që janë krijuar 24 orë para. Ka kompani që nuk kanë kapital për shumat që do të marrin. Në rastin e inceneratorëve, ata me 1000 euro morën 128 milionë euro dhe pritet që deri në fund të marrin 400 milionë euro.
A janë këto kompani në fushën ku kanë marrë tenderin apo koncensionin? Apo e kanë shtuar këtë gjë një javë para apo disa ditë para se të merrnin këtë tender, këtë koncension apo këtë PPP?
A kryejnë këto kompani shërbimin për të cilin marrin paratë? Apo thjesht marrin paratë e ndërkohë nuk bëjnë asgjë?
A janë paguar këto kompani më shtrenjtë, duke bërë konkurencë të pandershme ndaj kompanive të tjera?
Të gjitha këto do të shikohen imtësisht nga zyrtarët e qeverisë Basha dhe dosjet e plota, jo vetëm të kompanive, por edhe të zyrtarëve që nga më i vogli e deri tek më i madhi, që kanë firmosur këto tendera, koncesione apo PPP”.
Matilda Mcini: Dokumentacionin e kanë të kopsitur. Do të jetë e vështirë...
Ina Zhupa: Jo, nuk është e vërtetë. Përkundrazi! Dokumentacionin e kanë të mënyrën më skandaloze të mundshme. Po të marrin rastin e fundit. Ai është krijuar me një kapital 1 mijë euro, ka marrë miliona euro.