Policia 'me dorë të hekurt', 1265 gjoba për maskat, 9 shoqërime

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.

Policia e Shtetit ka vijuar me ndëshkimin e qytetarëve që nuk zbatojnë vendimin për mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse jashtë.

Policia njoftoi se në gjithë vendin janë gjobitur 701 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Ndërkohë janë shoqëruar në ambientet e policisë 9 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Gjatë ditëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 564 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.