Gara televizive Trump dhe Biden

Në pamundësi të debatit përballë, presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, dhe demokrati Xho Bajden shfrytëzuan dalje të ndryshme televizive për të bindur votuesit se janë alternativa më e mirë për Shtëpinë e Bardhë, më pak se tri javë nga zgjedhjet presidenciale.

E enjtja ishte parashikuar për debatin e dytë presidencial në Amerikë, por presidenti Donald Tramp, dhe rivali i tij demokrat, Xho Bajden, zgjodhën të përballen në arena të ndryshme.

Dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë e gjetën veten rreth 2 mijë kilometra larg njëri-tjetrit, duke iu përgjigjur pyetjeve të simpatizantëve në sallat e televizioneve "NBC" dhe "ABC".

Të dy u vunë nën presionin e moderatorëve për çështjen e pandemisë së koronavirusit.

Ish-zv.presidenti Bajden, 77 vjeç, akuzoi kreun aktual të shtetit si përgjegjës për humbjen e mbi 217 mijë jetëve në vend dhe tha se nëse ai zgjidhet president, do bëjë ç'të mundet për ta bashkuar vendin e përçarë në katër vitet e fundit nga republikani Tramp.

Ndërkohë presidenti 74-vjeçar u pyet nëse ka ndryshuar mendim për maskat tani që edhe vetë e ka kaluar sëmundjen infektive.

Tramp tha se i qëndron mendimit se maskat nuk janë zgjidhje për të dhe se 85 për qind e atyre që i mbajnë, sërish infektohen me kovidin-19.

Dy kandidatët u pyetën edhe për tema më polemike, Tramp përkatësisht për borxhet e tij si biznesmen i dikurshëm dhe nëse e përkrah teorinë konspirative se elitat po punojnë kundër tij, ndërsa Bajdeni, për të ardhmen e Gjykatës së Lartë.

Ish-zv.presidenti tha se ai do ta ndajë qëndrimin e tij pas zgjedhjeve, por mund ta rritë numrin e anëtarëve në institucionin më të lartë të drejtësisë pasi shumica e tyre kanë bindje joliberale.

Për ekonominë dhe shëndetësinë, si Trampi, edhe Bajdeni e quajtën palën tjetër rrezik për vendin dhe taksapaguesit amerikanë.

Debati i fundit presidencial mes dy kandidatëve është parashikuar më 22 tetor, më pak se dy javë nga zgjedhjet e 3 nëntorit të cilat Bajden i udhëheq me diferencë të thellë në sondazhe.

Presidenti Trump po tenton ta rritë entuziazmin te votuesit me tubimet e shpeshta elektorale, ndërkohë Bajdeni po përdor reklamat dhe ka fushatën më të shtrenjtë, duke mbledhur në muajin shtator mbi 380 milionë dollarë, gati dyfishin e shumës së kundërshtarit në muajin gusht.