Francë: Policia bastis zyrat e ministrave dhe zyrtavëve të Shëndetësisë, hetohen se neglizhuan pandeminë

Shtëpia e ministrit francez të Shëndetësisë dhe ajo e drejtorit të agjencisë kombëtare të shëndetit u bastisën të enjten nga policia në kuadër të një hetimi për neglizhencë në kohën e pandemisë së Covid-19. Bastisja ndodh ndërsa në fuqi ka hyrë ndalim qarkullimi i pjesshëm në nëntë qytete për shkak të numrit të lartë të infektimeve nga koronavirusi.

Policia franceze bastisi shtëpitë e disa qeveritarëve të lartë dhe zyrtarëve të shëndetësisë, si pjesë e hetimit për mënyrën se si qeveria veproi gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në veçanti, policia bastisi të enjten shtëpinë e ministrit të Shëndetësisë Olivier Véran dhe drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shëndetit, Jérôme Salomon.

Këto bastisje lidhen me një hetim të urdhëruar më herët këtë vit nga gjykata për veprimet e qeverisë gjatë pandemisë. Ekzekutivi ndeshet me akuzat të mungesës së pajisjeve dhe veprim të ngadaltë.

Gjithashtu nën hetim është kryeministri Jean Castex si dhe paraardhësi i tij, Edouard Philippe.

Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë Véran, kanë qenë në krye të nismës së re të orës policore që ndalon qarkullimin në nëntë qytete, përfshirë Parisin.

Në korrik, gjykata urdhëroi fillimin e hetimeve për mënyrën e veprimit të qeverisë në kohë pandemie pasi qytetarë të shumtë, përfshirë edhe mjekë e familjarë të viktimave, e akuzuan ekzekutivin për neglizhencë dhe sjellje kriminale në reagimin ndaj pandemisë së Covid-19.

Një gjykatë e posaçme shqyrton çështjet që lidhjen me punën e ministrave dhe të zyrtarëve të qeverisë në Francë. Por që pretendimet të jenë të bazuara, në gjykatë duhen paraqitur prova bindëse se zyrtarët nuk vepruan qëllimisht për të shpëtuar më shumë jetë njerëzish.