Covid-19/Plan për vaksinimin, do të nisë nga të moshuarit dhe mjekët

Bashkimi Europian ju kërkoi vendeve të Ballkanit Perëndimor që të ndjekin të njëjtën strategji vaksinimi kundër koronavirusit me bllokun. Gjithashtu Brukseli ju kërkoi vendeve të Ballkanit që të marrin masa për ndërgjegjësimin e publikut për dobinë dhe rrezikun e vaksinës.

Komisioni Europian miratoi të enjten strategjinë e vaksinimit masiv në Bashkimin Europian kundër COVID-19, ndërsa pritet konfirmimi i vaksinave të para që do të përdoron në popullatë. Këtë strategji Komisioni pret që ta zbatojnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Brukseli kërkon nga partnerët e vet në rajon që të vazhdojnë bashkëpunimin me bllokun, siç kanë bërë që nga fillimi i pandemisë.

Tashmë Komisioni Europian ka nënshkruar kontrata për qindra miliona doza vaksinash me disa prodhues potencialë të vaksinës në mënyrë që të sigurojë sasitë e duhura për të gjitha shtetet anëtare. Më pas, shtetet anëtare, do të mund të porosisin sasi të vaksinave edhe për shtetet e treta, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor.

Për shembull, Greqia është ofruar të blejë vaksinat për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Në strategjinë e miratuar, Komisioni dëshiron që të gjitha vendet anëtare të koordinohen gjatë procesit të vaksinimit, në mënyrë që ai të jetë i njëkohshëm dhe të përfshijë të gjitha grupet që do të kenë përparësi. Brukseli synon gjithashtu që të gjitha vendet të kenë sasi të njëjta të vaksinave sipas numrit të banorëve.

Ekzekutivi i BE-së, kërkon nga shtetet anëtare që të përgatisin stafin e duhur profesional, mjetet e transportit për vaksinat dhe kushtet specifike dhe të ketë një fushatë informimi të qytetarëve për dobitë dhe rreziqet eventuale të vaksinës, në mënyrë që të rritet besimi publik.

Sipas këtij plani, përparësi gjatë vaksinimit do të duhet të kenë punëtorët e sistemit shëndetësor, pastaj personat mbi moshën 60 vjeçare, ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda kronike dhe personat të cilët në jetën dhe punën e tyre nuk mund të sigurojnë ruajtjen e distancës fizike.

Komisionerja e BE-së për Shëndetësinë, Stella Kyriakides, tha se vaksina nuk do ta zgjidhë menjëherë problemin e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por gjithsesi, ajo do të ndihmojë në kthimin e jetës në normalitet për qytetarët. Kyriakides tha gjithashtu se nuk do të lejohet asnjë kompromis me shëndetin e qytetarëve.