Mustafa publikon letrën e Mogherinit për asociacionin pa kompetenca ekzekutive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka publikuar të enjten një letër që ka thënë t’i ketë dërguar ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Frederica Mogherini, lidhur me kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kur ky i fundit të jetësohet.

Mustafa ka thënë të ketë pranuar këtë letër më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për parimet kryesore të Asociacionit.

“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacionit/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, thuhet në letrën e publikuar nga kreu i LDK-së.

Mustafa ka thënë se të njëjtin dokument ia ka prezantuar edhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, gjatë një takimi të zhvilluar më 15 tetor në Prishtinë.

Mes tjerash Mustafa ka thënë se këtë letër nuk e ka bërë publike më herët, pavarësisht pse ka thënë të ketë pranuar akuza për arritje të marrëveshjes.

“Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja”, ka deklaruar ai.

Deklarata e Mustafës, i cili ka mbajtur edhe pozitën e kryeministrit të Kosovës atëbotë, vjen pasi Lajçak ka deklaruar të enjten se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është obligim që ka marrë Kosova me marrëveshjen e vitit 2013.

Lajçak tha se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionit t Komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës duhet të bëhet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Mirëpo, para se të ndodhë kjo, Lajçak ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit, si dhe t'i përfundojnë të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme për këtë proces.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë
Më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini e kam pranuar letrën me këtë përmbajtje:
“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociaciono/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”.

Sot në diskutimin që e pata me z. Lajçak ia prezantova zotimin e BE-së që e kam marrë nga zonja Mogherini.

Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja.

Bashkëngjitur letra e Përfaqësueses së lartë të BE-së, znj. Mogherini e cila në atë kohë ishte nënkryetare e Komisionit Evropian dhe Ministre e Jashtme e BE-së.