Bledian Koka: Firma për inceneratorin të çon në burg, kryebashkiakja e Durrësit e ka kuptuar, Ekonomi peng i check up-it
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, denoncoi sot se kryeministri Edi Rama do të shkarkojë kryebashkiaken e Durrësit se nuk pranon të firmosë milionat e inceneratorit.
Gazetari, Bledian Koka, thotë se demaskimi i aferës me inceneratorët i bën nder opozitës, pasi sipas tij është prova më e gjallë e grabitjes së parave të taksapaguesve shqiptarë.
Bledian Koka: Debati që i bën nder opozitës është debati i çështjeve konkrete, debati i gropave të mëdha septike financiare nëse në 25 prill do të fitojë zgjedhjet. Nëse ka një çështje që mban erë dhe tregon si janë grabitur lekët e shqiptarëve, janë inceneratorët, disa gjetje që u bënë nga Rilindja si mundësi për të pastruar lëmin e plehrave që kishte Shqipëria. Sigurisht që Shqipëria ka pasur dhe ka emergjencë mbetjesh, por inceneratorët nuk janë zgjidhja e parë, është pjesa fundore sesi një shtet i trajton mbetjet.
Koka nënvizon se firmosja për të dhënë para korruptive për inceneratorët është një firmë që të çon në burg.
Bledian Koka: Kryeministri e ka bërë më shumë se një herë këtë. Po të shikoni të gjitha koncesionet, të gjithë tenderat multimilionësh që ka dhënë kjo qeveri në asnjërën prej tyre nuk e gjen firmën e kryeminstrit. Mesa duket kjo kryebashkiakja e Durrësit ka vendosur të mos firmosë një çmenduri që praktikisht merr gjithë buxhetin e Durrësit dhe ja çon inceneratorit në Tiranë.
I ftuar në Rtv Ora, gazetari zbardhi edhe skenarin sesi mazhoranca e krijoi terrenin për të mbështetur vendimin e saj për të djegur plehrat e Durrësit në inceneratorin e Tiranës kundrejt faturës së majme prej 100 mln eurosh.
Bledian Koka: Kjo qeveri për ta bërë sa më të besueshme gënjeshtrën e inceneratorëve krijoi gjatë verës skandalin e plehrave në Durrës, u mbushën kazanët. Kërkohet që bashkia e Durrësit buxhetin 100 mln euro ta firmosë për ta çuar në Tiranë për inceneratorin. Kushdo që e bën këtë hap do të bënte një krim që nuk ka Zot që e shpëton me prokurorin më të lodhur të këtij vendi. Kryetarja e bashkisë së Durrësit në detyrë qenka aq e zgjuar sa të kuptojë se çfarë dëmi i madh është. Nuk është hera e parë që Ekonomi firmos në tendera që nuk duhet të firmosë. Është kapur peng te check up-i dhe po e çojnë të firmosë si 'cjapi te kasapi' edhe inceneratorët. Është një fëlliqësirë e madhe dhe bën mirë opozita që reagon.
Një debat tjetër mes pozitës dhe opozitës është dhe borxhi publik. Koka thotë se borxhi publik është një nga "bombat" më të mëdha që do të trashëgojë vetë Rama po mbeti në qeveri apo Lulzim Basha nëse fiton zgjedhjetr.
Bledian Koka: Ekspertët thotë se është 95% e PBB. 65% ishte në 2013 dhe krahasoni investimet që bënte Sali Berisha në 2013 me ato që bën Rama në 2020.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana