Inter-Milan drejt shtyrjes? Infektohet me Covid-19 edhe ndihmësi i Stefano Piolit

Derbi i Milanos, i planifikuar për në orën 18:00 të 17 tetorit, po shkon drejt një shtyrjeje të mundshme, pasi të prekurit nga Covid-19 po rriten te të dy klubet.

Aktualisht zikaltrit janë skuadra me plot 6 futbollistë të prekur nga koronavirusi, shifër kjo që edhe mund të rritet deri të shtunën, ndërsa edhe te kuqezinjtë së fundi ka rezultuar pozitiv edhe ndihmësi i trajnerit të Milanit Stefano Pioli, Daniele Bonera.

Ky i fundit kishte shfaqur disa simptoma të koronavirusit dhe iu nënshtrua menjëherë testimit, ku rezultoi pozitiv dhe u vendos menjëherë në izolim.

“Daniele Bonera, pas etheve të shtuara, iu nënshtrua dje një testi në shtëpi, duke rezultuar pozitiv me Covid 19; Bonera aktualisht është në shtëpi dhe është në një gjendje të mirë. Të gjitha testet e tjera bëra në skuadër kanë rezultuar negative”, deklaron AC Milan në njoftimin për mediat.

Aktualisht te Milani të prekur janë edhe mbrojtësit Gabbia e Duarte, ndërsa pak ditë më parë ishte sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç që fitoi betejën me Covid-19.

/a,r, OraNews