Mal i Zi/ Tri koalicionet fituese ftohen nga presidenti Gjukanoviç, Zdravko Krivokapic duhet ta formojë qeverinë brenda 8 nëntorit

Zdravko Krivokapiç është mandatuar për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi dhe për të shkruar si kryeministër i ardhshëm, epilogun e regjimit tridhjetëvjeçar socialist në vend.

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, ia ka dorëzuar udhëheqësit të koalicionit proserb, Zdravko Krivokapiç, mandatin për të formuar qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e fund gushtit.

Udhëheqësi i koalicionit "Për të ardhmen e Malit të Zi" u ngarkua të enjten me përgjegjësinë, në praninë e aleatëve të vet, Aleksa Beçiç dhe shqiptaro-malazezit, Dritan Abazoviç.

Presidenti Gjukanoviç apeloi qeveritarët e rinj të vazhdojnë reformat e lëna përgjysmë nga socialistët e tij.

"Unë vlerësoj qëndrimin e shumicës së re për të ndjekur kursin strategjik të Malit të Zi, për të respektuar angazhimet kundrejt ndërkombëtarëve, NATO-s dhe Bashkimit Europian."

Mandatari Krivokapiç i cilësoi konsultimet me presidentin, korrekte, dhe siguroi se ai synon një kalim demokratik të pushtetit.

"Sot do u dërgoj ftesë të gjitha partive minoritare të na bashkohen me kontributin e tyre sepse kjo detyrë që na u caktua nuk duhet ta kryejë vetëm koalicioni që fitoi, por të gjithë bashkë."

Për negociatat mbi qeverinë dhe mbi ndarjen e ministrive dhe institucioneve, nuk mbetet shumë kohë deri më 8 nëntor, tha Abazoviç i koalicionit "Bardhezi".

"Nuk ka më nevojë për tensione në skenën politike. Nuk na duhen debatet, por kohezioni social," u shpreh politikani i ri shqiptar.

Tri partitë dikur opozitare më 30 gusht fituan 41 nga 81 mandatet e mundshme parlamentare, duke zmbrapsur pas gati 30 vjetësh Partinë Demokratike të Socialistëve dhe partitë minoritare shqiptare, boshnjake dhe kroate në vend.