Një vit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Osmani: Vullneti i qytetarëve u tjetërsua, Kosova frymon me pamjen e zymtë
Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, të cilat zgjodhën si mazhorancës koalicionin Vetëvendosje-LDK, kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani i dedikon një postim në rrjetet sociale.
Sipas ish-deputetes së LDK, më e votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, sot pas një viti vullneti i qytetarëve të Kosovës është përdhosur, raporton Ora News.
"Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar", shkruan ndër të tjera Osmani.
Postimi i Vjosa Osmanit:
Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme.
Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar.
Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar.
Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë.
Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë.

Qeveria e dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, me Albin Kurtin kryeministër, qëndroi vetëm disa muaj në pushtet pasi opozita e asaj kohe, AAK-PDK bashkoi votat me LDK për rrëzimin e qeverisë.
/A.R, OraNews