Hoti: Nëse s’ka marrëveshje me Serbinë mbesim shtete të pavarura fqinje
Kosova kërkon marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por kryeministri Avdullah Hoti thotë se në rast se nuk arrihet, dy fqinjët do vazhdojnë të bashkëjetojnë pa e njohur njëri-tjetrin.
Komentet, Hoti i bëri pas takimit me komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhei, teksa mirëpriti progresraportin vjetor të Bashkimit Evropian për vendin.
"Ne jemi të përkushtuar në dialog, 1 muaj, 2 muaj apo 1 vjet. Nëse nuk arrijmë marrëveshje përfundimtare nuk kemi çfarë të bëjmë vazhdojmë si dy shtetet të pavarura fqinje që nuk e njohin njëra-tjetrën."
Varhei pranoi se ka progres në dialogun Kosovë-Serbi, i konkretizuar muajin e kaluar edhe me paktin për normalizim ekonomik.
Ai ftoi palët ta shfrytëzojnë këtë inerci për të reformuar institucionalisht vetveten, ndërsa qortoi shtetet e BE-së se po ia vështirësojnë punën Prishtinës me gjithë arritjet e deritanishme.
Varhelyi: "Liberalizimi i vizave është çështje shumë e rëndësishme për publikun. Kushtet janë përmbushur por duhen bindur shtetet anëtare e kjo nuk është punë e lehtë.”
Abdullah Hoti:"Në katër muaj të qeverisjes sonë fjalën korrupsion e kemi larguar nga diskursi publik, dhe kemi treguar vendosmëri të madhe në luftimin e krimit të organizuar. ...do të shihni edhe tjerat në ditët në vijim në gjithë vendin pa përjashtim, për të vendosur rend e ligj, cep më cep."
Komisioneri Europian i diskutoi temat e qeverisjes së mirë, planet për investimet dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës edhe me autoritetet e tjera të larta politike në vend.
Paketa me vlerë 28 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor pritet të ndryshojë peizazhin ekonomik të rajonit pas pandemisë, nënvizoi Varhei para parlamentit të Kosovës.
Turin e takimeve, zyrtari i BE-së e vijoi një ditë më parë edhe në Shqipëri ku informoi për planinvestimet dhe për ecurinë e vendit me procesin e integrimit europian.