Deklaratat e Ramës/ Reagon Presidenca: 'Profeti i Kokoshkave' nuk ka faj, i ka hyrë tartakuti nga 25 prilli

Pas deklaratës së sotme të kryeministrit Edi Rama, i cili ndër të tjera e quane presidentin Ilir Meta si borxhliun më të madh të Shqipërisë, vjen dhe reagimi i parë nga Presidenca.

Është zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i cili shprehet, se kryeministri duhet të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit.

Reagimi i plotë:

Respekto marrëveshjen e 5 qershorit profet i kokoshkave!

Për mirë opozitar se sa tradhëtar, më mirë opozitar se sa kusar, më mirë opozitar se sa zuzar.

Profeti i Kokoshkave nuk ka faj që i ka hyrë tartakuti nga 25 prilli.

Profeti i Kokoshkave i urren zgjedhjet.

Profeti i Kokoshkave ka frikë nga zgjedhjet, edhe në parti.

Presidenti nuk e shpëton dot Profetin e Kokoshkave nga makthet dhe ankthet e tij, sigurisht as nga 25 prilli.

Shqiptarët po bëhen gati për të marrë pjesë në Referendumin më të madh në këto 30 vite kundër bandës, tiranisë dhe këtij Sekti, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as nder, as familje, as Atdhe, as BE dhe as OSBE duke turpëruar edhe karrigen qyl në krye të saj.

ILIR META para se të jetë President dhe opozitar, në radhë të parë është SHQIPTAR.

Leri llogjet dhe respekto Marrëveshjen e 5 Qershorit. Mbaje njëherë fjalën në jetën tënde se e ke edhe me shkrim dhe noterizim!"

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët nga selia e PS, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu as sulmet ndaj presidentit Ilir Meta.

Sipas tij, Meta është shef i shtabit elektoral të Opozitës, ndërsa mërzitja tregon se do të humbasin zgjedhjet.

"Më i mërzitur nga të gjithë është Ilir Meta. Do të humbë thellë kësaj here. Ilir Meta i është borxhli më shumë këtij vendi. E ka bërë kryeministër, kryetar Parlamenti dhe President. Çfarë do ky njeri që nuk rri rehat. Edhe pozicioni ku qëndron është pozicion i zgjedhur për të qenë i treti i vërteti“.. do të shprehej ndër të tjera Rama. /A.R, OraNews