"E kanë pasur 5 milionë dollarë"/ Ja çfarë i kujton Majko ministrit serb

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, përmes një reagimi në Facebook, ka risjellë një reagim të Ministrit të Mbrojtjes në Serbi, Aleksandër Vulin.

Sipas ish-kryeministrit të Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë, fyerjet ndaj shqiptarëve janë kthyer në sport, ndërsa shton se çmimin drejt Uashingtonit, sot duhet ta paguajnë vetë.

"Po publikoj një foto, si kujtesë historike, për Ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, që po përdor fyerjen si “sport" në marrdhënien me shqiptarët.

Duhet ti kujtohet, besoj, se çmimi në kohë të vështira është ai më realisti. E kanë pasur 5 milionë dollarë!

Sot!… Edhe çmimin e biletës për të vajtur në Uashington duhet ta paguajnë vetë", shkruan Majko në postimin e tij.

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.

Ai, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ dhe nëncmues "shiptari", ka thënë se kryeministri Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.

“Si gjithmonë, Bashkimi Evropian nuk do të deklarohet as për këtë gjë. Kjo është përsëritje e një gënjeshtre të ‘Shqipërisë së Madhe’, kinse vjen në formë të natyrshme, ndërsa bashkimi i serbëve në një shtet është kërcënim për paqen”, thuhet në deklaratën e ministrit Vulin, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

Vulin ka shtuar se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”. /A.R, OraNews