Të pashpresë për rindërtimin: Prej rreth 1 viti, familja Murati në Fushë-Milot jeton në çadër
Familja e Tahir Muratit nga fshati Fushë Milot në Kurbin apelon për rindërtimin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit. Prej gati një viti në çadër familja tregon tmerrin e të jetuarit në çadër në këto ditë të para të vjeshtës.
Prej gati 1 viti, familja e Tahir Muratit nga fshati Fushë Milot në Kurbin, jeton në çadër.
''Në çadër po bëhet viti, që nga tërmeti i 26 nëntorit, çfarë bie përjashtë, bie brenda.''
Me ofrimin e dimrit jetesa në çadër bëhte dhe më e vështirë.
''Çadra është për një kamping, një ose dy javor, nuk është për të jetuar në kushte natyrore, me dimër të ftohtë e verë të nxehtë. është tepër e vështirë. Ne e dimë se çfarë po heqim.''

Kryefamiljari Tahir Murati është duket se i ka humbur shpresat ndaj shtetit të cilët nuk kanë marrë asnjë masë edhe pse kanë kaluar një vit nga tërmeti shkatërrues.
''Presim vendimin e qeverisë dhe ministrisë së rindërtimit. Ministria po hesht, bashkia është e pafuqishme.''

Edhe pse shtëpia është e dëmtuar dhe e rrezikshme për të jetuar, gjyshja e shtëpisë, 79 vjeçe jeton aty duke rrezikuar jetën.
''Kam ndenjur në atë dhomë, jo në çadër.''
Kjo familje e përbërë nga 6 anëtarë apelon per ndertimin e banesës së dëmtuar nga tërmeti pasi dimri po afron dhe jetesa në çadrën verore që kanë, është pothuajse e pamundur. Jetesa në çadër është e vështirë dhe për të mësuar fëmija e tyre që është në klasë të 4.