KLP cakton ish-kryeprokuroren Arta Marku prokurore pranë Gjykatës së Apelit Tiranë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi në mbledhjen e sotme caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje të z. Arben Dyla , caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier të znj. Violeta Shkurta dhe caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë të znj. Arta Marku, ish-kryeprokurore.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli vendosi kualifikimin për emërim të dy kandidatëve për magjistratë në profilin prokuror, znj. Enkeleda Hoxha dhe z. Gazmend Frëngu pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019-2020.

Me këtë vendimmarrje, Këshilli hap rrugën për shpalljen e dy vendeve vakante për kandidatët për prokuror.

Më shumicë votash, Këshilli miratoi raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri, Petrit Hysa dhe Lindita Male (Ziguri) dhe projekt-aktin për mbarimin e statusit, për shkak dorëheqje, të magjistratit znj. Rabiana Halili, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.