Ish-deputeti i PS-së kandidon për në KAS: Të gjithë na gjykojnë nga kopertina, jam skllav i ligjit

Ditën e sotme kanë filluar që të merren në intervistë kandidatët për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët po intervistohen nga grupi i punës.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Isaraj ka vendosur që të aplikojë për anëtar të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve.

Ai është shprehur se nuk duhet të gjykohet nga kopertina dhe se gjithmonë ka qenë skllav i ligjit.

Arben Isaraj: Gjërat janë të shkruara nuk po zgjatem shumë. Jam jurist me profesion sot ushtroj detyrën e pedagogut të brendshëm në shkollën e magjistraturës dhe me këtë rast ne njerzit jemi si librat dhe të gjithë na gjykojnë nga kopertina, por këtu nuk duhet të ndodhë kjo gjë dhe sigurisht nuk po ndodh përderisa po pyetemi në lidhje me atë se çfarë kemi bërë në jetë.

Eksperienca ime në lidhje me zbatimin e ligjit, lidhet me karrierën 32 vjeçare, jam ndesh jo vetëm me ligjbërjen kur flasim për hartimin e miratimin në Kuvend, në këtë botë njeriu është i lirë ta zgjedhë skllavërinë e tij, unë gjithë kohës në 32 vjet kam qenë skllavi i ligjit e s’ka ndodhur kurrë të marr qoftë një vërejtje të kem pasur ndonjë ankesë apo masë në pozicionet e detyrat.

Jam i bindur që rol të rëndësishëm për zgjedhje të suksesshme ka konsolidimi i shtetit të së drejtës, ndëshkimi i atyre që manipulojnë zgjedhjet duhet të jetë i pakompromis.

Sot ne jetojmë në teatrin e jetës ku dhe debati për menaxhimin e zgjedhjeve nuk bën përjashtim, e nëse në këtë teatër do qëndrojmë spektatorë do paguajmë për veten, fëmijët e të ardhmen e vendit ndaj gjykova se është koha për të mos qëndruar më si spektator por të jem anëtar i KAS në KQZ

Murrizi: Më vjen mirë që ke aplikuar, nëse shpirtërisht ndihesh i pavarur besoj se do i bëhej mirë organit ku do të shkoje.

Për mua është kënaqësi që një kapacitet i tillë vjen të ofrohet që më 25 prill mos të kemi më duar në zgjedhje.