Meta me koordinatoren e OKB-së: Të punojmë së bashku për një kalendar aktivitetesh

Presidenti Meta ka takuar ditën e sotme koordinatoren e re rezidente të OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se i theksoi rëndësinë e përshpejtimit të arritjeve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 për Shqipërinë, që përputhen edhe me objektivin strategjik për integrimin në BE.

Meta shton se ka sugjeruar për të punuar së bashku për një kalendar aktivitetesh, për të bërë një bilanc të bashkëpunimit të Shqipërisë me OKB-në.

Meta: Me kënaqësi prita sot Koordinatoren e re Rezidente të OKB-së në Shqipëri, znj.Fiona McCluney, me rastin e fillimit të mandatit të saj në vendin tonë. E sigurova për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë në ushtrimin e detyrës së saj. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të arritjeve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 për Shqipërinë, që përputhen edhe me objektivin tonë strategjik për integrimin në BE. Shpreha mirënjohjen për rolin e Agjencive të KB në Shqipëri në promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe ofrimin e mbështetjes për institucionet shqiptare në zbatimin e rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Vlerësova gjithashtu synimin për rritjen e investimeve për mbrojtjen sociale.

Përcolla falenderime të veçanta për Sekretarin e Përgjithshëm për mbështetjen që agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri kanë dhënë për institucionet shqiptare dhe shtresat e prekura të popullatës në luftën kundër COVID-19. Duke ju referuar faktit se ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të KB, që përkon edhe me 65-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në OKB, sugjerova për të punuar së bashku për një kalendar aktivitetesh, jo vetëm për të përkujtuar këto ngjarje të rëndësishme, por edhe për të bërë një bilanc të bashkëpunimit të shkëlqyer të Shqipërisë me OKB-në.