Ukraina shpall 26 shtatorin ditë zie pas rrëzimit të aeroplanit ushtarak

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në zonën ku një aeroplan ushtarak i Ukrainës u rrëzua.

Autoritetet thanë se kanë gjetur edhe dy trupa të pajetë, duke çuar në 26 numrin e viktimave nga rrëzimi i avionit, ndërkaq një person ka shpëtuar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka shpallur 26 shtatorin ditë zie, për të nderuar viktimat e këtij aksidenti.

Zelenskiy, që vizitoi vendin ku u rrëzua aeroplani, bëri thirrje për hetim të plotë rreth gjendjes së pajisjeve të ushtrisë së vendit.

Kryeministri Denys SHmyhal ka bërë thirrje që raporti zyrtar për rrëzimin e aeroplanit të përpilohet deri më 25 tetor.

“Dje kemi humbur kadetë të rinj dhe ushtarakë me eksperiencë. I gjithë vendi do t’i kujtojë ata sot, së bashku me familjet e tyre”, tha Zelenskiy.