Irma Nika ekspozitë në Ditën Botërore të Sindromës Down
Irma Nika, vajza nga Bulqiza, ka zgjedhur ditën botërore të sindromës down për të çelur një ekspozitë me pikturat e saj. Irma, ka lindur me sindromën down, por kjo nuk e ka penguar aspak për të shprehur ndjenjat e saj përmes artit. Të pranishëm në këtë aktivitet, ishin përfaqësues të lartë të jetës politike, si Ministrja e Kulturës, dhe Zv Ministrja e Mirëqënies Sociale. Në Ditën Botërore të Sindromës Down, u çel në Tiranë ekspozita me pikturat që mbajnë emrin e Irma Nikës, vajzës nga Bulqiza, e cila ka lindur me sindromën down. Me mjeshtërinë dhe talentin që e karakterizon, Irma ka arritur të shprehë botën e saj nëpërmjet këtyre punimeve, ku ajo që bie në sy, janë larmishmëria e ngjyrave që përdor në çdo pikturë. Ekspozita mori vëmendjen e personaliteteve në vend, si dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.Mirela Kumbaro: “Ajo që të impresionon më shumë në pikturat e Irmës janë ngjyrat dhe në fakt është mënyra se si ne e lexojmë Irmën, mendimet e saj. Ne jemi të gjithë brënda nesh dhe nuk mund të ndahemi sipas një gabimi që ka bërë natyra në një moment të caktuar me secilin nga ne. Bota e ngjyrave dhe gëzimi për jetën na bën të gjithë të barabartë, e kemi të gjithë të përbashkët”.E pranishme, zv Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, shfrytëzoi këtë rast për tu bërë apel institucioneve, që të bëjnë më shumë për personat me aftësi të kufizuar.Irma Nika, lindi në Bulqizë, në vitin 1997, ku që e vogël vuri re talentin për pikturën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 27 mars, si dhe u organizua nga Fondacioni Down Syndrome Albania, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës./Oranews.tv/