Mësimet e 21 Janarit 2011
Pesë vjet përpara katër shtetas shqiptarë të parrezikshëm u vranë nga forcat e sigurisë të shtetit të tyre, në dyert e një institucioni, ndërkohë që nuk ishte as tentativë grushti shteti, as vjedhjeje apo vandalizmi. Shteti shqiptar asnjëherë nuk ka qenë miqësor me nënshtetasit e tij, por ky është rast ekstrem i cili shkeli një vijë të kuqe edhe pse të zbehtë në rastin shqiptar, të raportit të shtetit dhe qeverisurve prej tij. Mes shumë aspekteve të dhunshme që ka martesa e shqiptarëve me shtetin e tyre, ky ishte kulmimi i një raporti, asnjëherë të ngritur mbi mirëbesimin dhe respektin reciprok, ku viktima ka qenë gjithmonë qytetari.Ngjarja e 21 janarit ka lënë pasoja tek qëndrimi i shoqërisë shqiptare ndaj sjelljeve publike. Tashmë kur shqiptarët shikojnë qoftë edhe në vende të tjera protesta të dhunshme, janë të parët që i dënojnë. Për dy shishe molotov dhe pesë xhama të thyer të “Vetëvendosjes” në Prishtinë, ne këtej kufirit, reaguam më ashpër se termidorianët.21 janari, në vend se të rriste reaktivitetin, vraru shpirtin e kundërshtimit të një shoqërie që edhe përpara nuk ka njohur revolucion social.“Kush bën të pamundur revolucionet paqësore, bën të pashmangshme revolucionet e dhunshme” thoshte dikur Xhon Kenedi. Rasti shqiptar është një rast i dëshpëruar, ku pushteti dhe inteligjenca, punojnë krah për krah të asgjësojnë shpirtin e kundërshtimit edhe në vegimet e shqiptarëve të zakonshëm, lere më në sjelljet publike të tyre. Ajme. Nëse bota do të kishte mendësinë që ka sot, shoqëria shqiptare, as revolucioni i 1848 dhe as ato të 1968 nuk do të kishin ndodhur kurrë.Nga ky kontribut reaksionar nuk përjashtohet as opozita e atëhershme shqiptare. Pesë vjet nga kjo ngjarje dhe tre vjet në drejtimin e shtetit, nuk është bërë asgjë për zbardhjen e saj. Rama që gjen kohë të takohet me Prokurorin e Përgjithshëm për gjithfarë deputetësh problematikë që ka në grupin parlamentar, nuk ka gjetur kohën të thërrasë një herë të vetme në interpelancë Adriatik Llallën.I vetmi veprim i ndërrmarë nga qeverisja socialiste për të zhbiriluar këtë ngjarje daton një vit më parë, dhe ishte tentativa për të çuar në prokurori Lulzim Bashën për një shkresë me … gabime ortografike. Barcaletë. Reagimi ndaj protestës së fundit të PD-së, ku për dy shishe me bojë të hedhura kryeministrisë dhe prishjes së një puçre betoni të vendosur në kompleksin qeveritar, funksionarët socialistë, folën si ministra të rendit në Mbretërinë e Napolit, ishte tregues se pala e ardhur në pushtet, nuk ndryshon nga mendësia e atyre që ikën. Janë po aq reaksionarë, kundërshtarë të ndryshimit, klientelistë dhe të njëjtat koncepte të formatit mesjetar “shteti jam unë”, sa qeverisja e Berishës. Sjellja e tyre ka treguar se ndjekësit i konsiderojnë turma, ndërsa fatkeqët që humbin jetën, si mish për top.21 Janari do të mbahet mend edhe si dita kur inteligjenca shqiptare (përjashto zëra sporadikë) si gjithmonë zgjodhi krahun e pushtetit, dhe askush nuk u bë me viktimën, por ose me pushtetin ose me ata që kishin nxjerrë viktimën në rrugë.Në një vend ku politika e trajton inteligjencën si argument për legjitimitetin e vet, por jo si opononent të rafinuar të pushtetit të saj, duhej pritur që inteligjenca të gjente mënyrën t’i imponohej pushtetit. Ka ndodhur më e keqja: që inteligjenca ka kërkuar pushtetin, është bërë pjesë e tij, duke e kthyer të gjithë sistemin në një orgji. Dhe jemi në pikën që askush nuk i ka besën askujt.Përkthyer me fjalë të thjeshta, pas 21 janarit të 2011-ës, kush del në rrugë të protestojë duhet të këtë frikë mos e vrasë shteti; të ketë frikë se mos e shet ai që i ka thënë të protestojë; të jetë i bindur se pas kësaj askush nuk do ta mbrojë. 21 Janari është dita kur Sali Berisha mori mbi supe damkën e vrasësit, Edi Rama atë të manipulatorit, inteligjenca shqiptare atë të bashkëpunëtores me pushtetin, ku për asnjërin jeta njerëzore nuk ka vlerë. Një situatë mizerje.Marrë nga: Kohajonë