Reforma, shkundje sistemit të drejtësisë
Kuvendi i Shqipërisë çeli Sesionin e VI-të të Legjislaturës së VIII-të parlamentare. Në fjalën e tij të hapjes pasi prezantoi kalendarin e punimeve, kryetari i kuvendit Ilir Meta u shpreh se gjatë këtij sesioni duhet të bëhet një shkundje e thellë e sistemit të drejtësisë.Fjala e plotë:Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,Mbështetur në nenin 74, pika 1 të Kushtetutës dhe në nenin 42, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, deklaroj të hapur Sesionin e 6-të (gjashtë) të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë.Besoj se me bashkëpunim tuaj konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, gjatë këtij sesioni do të përmbyllim me sukses në radhë të parë miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi, përmes një procesi konstruktiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, dhe në veçanti të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.Besoj se kërkesa mbarëqytetare për një shkundje të thellë për të ndryshuar me themel gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe ngritjen e tij në parametrat e duhur të integritetit profesional dhe moral, që kërkon shoqëria dhe integrimi evropian i vendit, do të na motivojë të gjithëve për të përmbushur me sukses këtë mision të rëndësishëm dhe për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë që ata kërkojnë dhe meritojnë.Ndaj besoj se reforma në drejtësi do të jetë kryeprioriteti i këtij sesioni. Njëkohësisht fillimin e punës dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore në Kodin Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, zbatimin e ligjit për integritetin e figurës të funksionarëve publik, miratimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve, si një përpjekje e rëndësishme për të ndërtuar besimin e publikut te Parlamenti, dhe si dokument i rëndësishëm referimi për mediat, apo organizatat e shoqërisë civile, të cilat mbikëqyrin dhe informojnë publikun për jetën parlamentare dhe politike në vend.Gjithashtu, përmirësimin e funksionit ligjvënës të Kuvendit, përmes shqyrtimit më cilësor të legjislacionit gjatë procesit legjislativ dhe përmirësimit të procedurave legjislative.Forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, përmes përdorimit intensiv të instrumenteve të kontrollit parlamentar dhe vendosjes së një mekanizmi për adresimin e rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarura të krijuara me ligj.Vazhdimin e forcimit të rolit të Kuvendit në kuadër të procesit të integrimit europian, si dhe rritjen e mëtejshme të transparencës së vetë veprimtarisë së Kuvendit.I uroj këtij sesioni parlamentar dhe të gjithëve ju, një fillim të mbarë pune për realizimin e reformave në bashkëpunim konstruktiv të të gjitha forcave politike që përfaqësohen në Kuvend!