Opozita nuk ndryshon qëndrim:Tërhiqni marrëveshjet, pastaj kompromis

Nuk ka prodhuar asgjë takimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga me krerët e partive kryesore opozitare, edhe pse ishte menduar se mund të kishte një zbutje të minorancës.Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, menjëherë pas takimit u shprehën se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, që janë tërheqja e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel me Serbinë dhe tërheqja e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.Visar Ymeri: “Marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, janë marrëveshje të cilat domosdoshmërisht duhet të hidhen poshtë; janë marrëveshje të cilat nuk do të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës. Këto dy marrëveshje e rrënojnë dhe falimentojnë Republikën, dhe e cenojnë, cungojnë edhe territorin e Republikës. Si të tilla janë të papranueshme”.Kreu i AAK tha se mbajtja e seancës parlametare para arritjes së një marrëveshje do të ishte gabim i madh.Haradinaj: “Është gabim i madh insistimi që të thirret seanca e parlamentit derisa nuk është marrë vendim për anulimin e marrëveshjeve. Njëkohësisht, është një gabim shumë i madh i Qeverisë përdorimi i policisë, e i prokurorisë për ta disiplinuar opozitën. Është e pakuptimtë që të ndërmerret represion policor prokurorial ndaj deputetëve të zgjedhur dhe në të njëjtën kohë të insistohet të thirret seanca. I kemi shpjeguar edhe presidentes se një vendim i tillë - një veprimi i tillë për ta thirrur seancën, do të jetë vendim për përshkallëzim të mëtejmë të gjendjes në vend”.Kurse kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj shprehet:Limaj: “Koalicioni qeverisës mundohet ta shohë çdo gjë normale, sepse ky koalicion çdo gjë e sheh te numrat, prandaj ata mendojnë se nuk ka krizë. Për ata ka krizë vetëm nëse nuk ka numra, nuk e kuptojnë gjendjen në të cilën është vendi. Ata nuk e dinë as çfarë marrëveshje të dëmshme kanë bërë për vendin. Gjithashtu do të shohim edhe rolin e aktorëve sa vërtetë, e seriozisht, janë të interesuar për të kuptuar seriozitetin në të cilin gjendet sot vendi ynë dhe për të ndërmarrë hapa drejt zgjidhjes së krizës”.Kryesia e Kuvendit të kosovës paprakisht ka vendosur të mos përcaktojë një datë për mbajtjen e seancës parlamentare të radhës, duke i dhënë kështu mbështetje opozitës.Kriza politike në Kososvë nisi pas marrëveshjeve të firmosura në Bruksel, e cila çoi edhe në protestat e opozitës në parlament, duke bllokuar seancat plenare.