Kur bie shi, nuk ka “çadër” politike që e mbulon Lanën

Shi bie në Tiranë! Dhe ky nuk është lajm aq i mirë dhe për më tepër, aq romantik sa në këngë. Më shumë se një dekadë më parë Fitnete Tuda solli këngën “Shi bie në Tiranë”. Kënga u bë hit dhe ende dëgjohet me kënaqësi nga admiruesit.Ajo flet për Tiranën romantike në të cilën “nga malli ynë / edhe qielli qan” dhe ku “si nën ombrellë / ti strukesh nën një palmë / gjysma ime mbeti / rrugëve të këtij qyteti / shi bie në Tiranë”…Në traditën muzikore gjenden këngë të famshme për kryeqytetet, përfshirë Parisin, Londrën, Berlinin, Romën, Prishtinën dhe Lubjanën, - shumica e të cilave nxjerrin në pah pjesën romantike të tyre, anën e mirë, ndjesinë pozitive dhe kështu, janë një reklamë me vlera për qytetin dhe banorët e tij. E tillë është edhe “shi bie në Tiranë”.Por ndërsa shijojmë vargjet dhe melodinë, u bë kohë që në Tiranë bie shi dhe bashkë me të, Tirana përjeton një realitet gri ndjesie, - lodhje, braktisje, trishtim, vetmi, rrugë të përmbytura, makina të fundosura, puseta të bllokuara dhe bllokim të lëvizjes, dhe mbi të gjitha, një kanal/përrua/lumë që mbledh e sjell mbeturinat dhe ujërat e zeza nga periferia në qendër, Lana. Sot u përsërit e pesta herë brenda muajit kur sa herë bie shi, qytetarët i largohen me vrap dhe bllokim hundësh Lanës dhe rrugëve pranë saj.Në perëndim janë të paktën 24 kryeqytete që kanë lumenj ose copëza lumenjsh që kalojnë përmes qytetit, - janë pjesë e simbolit dhe krenarisë së tij dhe më potencialin mjedisor, natyror dhe turistik janë burim fitimi, argëtimi, referimi dhe frymëzimi. Ai që ne quajmë lumi i Lanës nuk është lumë, - është diçka midis pellgut në kanale dhe përroit. Nuk ka burim të pastër, nuk ka prurje të mëdha, dhe nuk përngjan me asnjë prej referimeve të modeleve pozitive të përmendura më lart.Natyrisht, Lana është Lanë dhe mbetet Lanë, por në një aspekt, ai është e mbetet simbol për Tiranën dhe tranzicionin e tij. Në fillim të viteve 90 Lana ishte referimi i kioska-politikës, rreth saj u ndërtuan disa qindra objekte tregtare, të cilat e fshehën vetë Lanën dhe e përdorën atë për shkarkimin e mbetjeve të tyre.Pas vitit 2001 filloi prishja e tyre dhe brenda pak vitesh Lana mori një pamje të re, gjelbërim, pemë, dhe ura të reja lidhëse midis rrugëve! Tej imazhit dhe fotove të reklamave (tipar i politikës tonë) fshihet realiteti që përcjell sepse e paprekur mbeti ana tjetër e medaljes, pjesa negative, - ujërat e zeza dhe mbeturinat përbërëse të ujit, të cilat, sa herë “bie shi në Tiranë” dalin më në pah, sidomos në kohë vere, kur banesa në pallatet krah Lanës bëhen gati të pabanueshme.Prej 1994 dhe deri tani (21 vjet) politika drejtuese në Tiranë (e djathtë dhe e majtë), ka premtuar dhe prezantuar të paktën 5 projekte për rehabilitimin tërësor të Lanës.Kulmi ishte projekti i vitit 2006 për një lumë që kthehej në zonë turistike, shëtitore e tejdukshme sipër tij, financim japonez, për të cilin u bënë konferenca shtypi dhe festa të mëdha.Prej atëherë nuk është dëgjuar më për këtë projekt, ashtu si për 4 projektet e tjera. Çdo mandat bashkiak parashihen miliona euro investime në Lanë (rehabilitim, gjelbërim, mirëmbajtje….), por asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk ka rëndësi kush ishte dhe kush është në pushtet, të gjithë u fshehën nga “shiu në Tiranë”. Lana mbetet Lanë dhe kur bie shi, nuk ka “çadër” politike që e mbulon.Përballë listës së gjatë të problemeve (trotuare të zëna, mungesë gjelbërimi, pallate e beton pa fund që i ka zënë frymën kryeqytetit, mungesë shkollash e kopshtesh, trafik ekstrem, mungesë uji e ndriçimi, mungesë argëtimi dhe standardesh normale të jetesës e sigurisë, - Lana dhe mallkimi i shiut që e ndjek atë duket problem i vogël. Në fakt, nuk është kështu. Sepse është diçka që shihet, dihet, takohet, ndjehet dhe konstatohet nga të paktën gjysma e qytetarëve, çdo turisti, çdo media, dhe se 100 – 250 metra larg erës së Lanës është Kuvendi, parlamenti, qeveria, zona luksoze e bllokut, disa universitete e shkolla, etj, etj.Dhe kur të gjithë pra, nuk bëjnë diçka në 25 vjet për të çliruar qytetin nga era e qelbur në mesin e tij, siç Artan F. e kritikon me të drejtë, vërtetë ka utopik që mendon se këto institucione dhe këta njerëz do ta vrasin mendjen për tu dhënë përgjigje e zgjidhje minatorëve në Burrel apo të përmbyturve në Shkodër, zonave të shembura në Elbasan apo ndotjes mjedisore në Fier, masiveve që digjen në Gjirokastër apo qytetit pa ujë në Kukës?Jo dhe jo.Ndaj Lana është simbol i kësaj politike, i këtij sistemi, i këtij tranzicioni, i kësaj elite që pasurohet e bën parada mode pranë përroit që ndot qytetin, - i mungesës së vizionit, përgjegjësisë dhe zgjidhjeve, - simptoma që na bëjnë të vuajmë dhe të jetojmë në një kafaz eksperimental betoni e Lane, ndërkohë që vetë paria, udhëheqësit tanë, nuk jetojnë afër Lanës dhe as në pluhurin e Tiranës, - ata kanë vila në periferi, në zona turistike dhe një herë në katër vjet, në prag të votimeve, dy e nga dy pinë kafen e fundjavës në mjediset luksoze në Gjirin e Lalzit!(titulli redaksional)/Oranews.tv/