“Mbrojtja” urdhëron raport të plotë për Xibrakën, banorët do dëmshpërblehen

Ministria e Mbrojtjes thotë se ka nisur hetimet lidhur me procesin e asgjësimit të municionit në poligonin e Xibrakës.Përmes një reagimi për mediat, një ditë pas shpërthimit të fuqishëm që fatmirësisht nuk regjistroi të lënduar, por vetëm dëme të mëdha materiale tek banorët përreth poligonit, Ministria thotë se një raport paraprak i ekspertëve thotë se praktika e asgjësimit me djegie të baruteve dhe mjeteve jashtë përdorimit është zbatuar në mënyrë rigoroze.“Ministria e Mbrojtjes urdhëroi një raport të plotë për procesin e asgjësimit të municionit në poligonin e Xibrakës, mbi respektimin e rregullores teknike dhe identifikimin e përgjegjësive të mundshme në ngjarjen e ditës së djeshme. Pavarësisht se raporti paraprak i grupit të verifikimit i perbere nga inxhinier te lëndëve plasëse, përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm, ekspertë të PU, struktura mbikqyrëse dhe struktura mbështetëse, sipas të cilëve praktika e asgjësimit me djegie të baruteve dhe mjeteve jashtë përdorimit është zbatuar në mënyrë rigoroze, pavarësisht ndikimit që kanë patur temperaturat e larta, MM po e vijon hetimin e kësaj çështjeje”.Ministria e Mbrojtjes bën me dije gjithashtu se nga ekspertë të të gjithë palëve është bërë verifikimi i të gjithë dëmeve të vogla materiale të atyre banesave që ndodhen pranë poligonit dhe do të bëhet dëmshpërblimi i tyre.Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA, garanton opinionin publik se nuk do lejojë kompromentimin e sukseseve të njohura ndërkombëtarisht të procesit të demontimit të armatimit dhe asgjësimit të municioneve jashtë standardeve.