Video e Elizabetës naziste përçan Mbretrinë
Një video e vjetër e Mbretëreshës së Anglisë, Elizabeta II, duke përshëndetur si naziste, ka sjellë reagime të ashpra në Britaninë e Madhe, ku mbrojtës dhe kritikë të veprimeve të monarkes janë përballur në rrjetet sociale.Video e xhiruar në vitin 1933, vetëm shtatë vjet para nisjes së Luftës II Botërore, nuk dihet se si ka dalë nga arkivat mbretërorë, por në të shfaqet Elizabeta, asokohe 7-vjeçare, që instruktohet nga xhaxhai i saj, Eduardi VIII, të bëjë përshëndetjen naziste. Pamjet janë publikuar të premten në mbrëmje për herë të parë, në portalin online të së përditëshmes The Sun, pronari i së cilës, Rupert Mërdok, nuk i ka shpëtuar sulmeve për këtë publikim.Por fansat e Mbretëreshës besojnë se ajo nuk mund të konsiderohet përgjegjëse për atë që ka bërë, pasi thjesht po luante me xhaxhain e saj, i cili njihej si simpatizues i Hitlerit.Historianët britanikë në mbrojtje të familjes mbretërore thonë që në atë periudhë, përshëndetja naziste nuk ka konotacionin e sotëm pasi njihen makabritetet e regjimit naizist në të gjithë Europën. Si dëshmi ata sjellin foto të kombëtares angleze të futbollit që kryen të njejtin veprim në vitin 1938, gjatë një ndeshje kundër Gjermanisë në Berlin.Skandali i fundit i familjes mbretërore me ngjyrime naziste ka përfshirë Princin Herri në vitin 2005, i cili u detyrua të kërkonte falje pasi u fotografua me një uniformë ushtarake gjermane të Luftës II Botërore në një festë.Familja mbretërore angleze është me origjinë gjermane. Mbreti Xhorxhi V ndryshoi mbiemrin gjerman Sakse-Koburg Gota në Uindsor në vitin 1917, për shkak të përbuzjes së madhe anti-gjermane në vend gjatë Luftës i Botërore.