Europol g*det rrjetin e trafikimit të emigrantëve në Ballkan, 7 të arrestuar në katër shtete
Autoritetet e Bullgarisë, Greqisë, Holandës dhe Rumanisë kanë zhvilluar një operacion të koordinuar kundër një grupi të dyshuar kriminal të organizuar, i akuzuar për trafikimin e emigrantëve përgjatë rrugës së Ballkanit, duke përdorur automjete me qira, të vjedhura dhe të regjistruara në mënyrë të paligjshme.
Sipas Europol, operacioni, i udhëhequr nga autoritetet greke dhe i mbështetur nga agjencia evropiane e zbatimit të ligjit, kishte në shënjestër një rrjet të përbërë kryesisht nga shtetas sirianë dhe egjiptianë. Grupi dyshohet se organizonte transportin e emigrantëve nga Greqia, përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, me destinacion përfundimtar Italinë.
Aksioni u zhvillua më 16 korrik në Selanik, Athinë, Sofje, Bukuresht dhe Etten-Leur në Holandë, duke çuar në arrestimin e shtatë personave të dyshuar, pesë në Greqi, një në Bullgari dhe një në Holandë.
Hetimet kanë lidhur deri tani këtë rrjet me të paktën 12 raste të trafikimit të emigrantëve të regjistruara nga shkurti deri në korrik 2026, ndërsa katër raste të tjera të mëparshme vijojnë të jenë nën hetim.
Emigrantët e transportuar ishin kryesisht shtetas egjiptianë, irakianë dhe sirianë. Sipas hetuesve, ata lëviznin fillimisht me automjete të vogla nëpër Greqi, Bullgari dhe Rumani, për t’u transferuar më pas në kamionë që i çonin drejt Italisë.
Grupi dyshohet se siguronte automjete duke përdorur dokumente identifikimi të vërteta dhe të falsifikuara, të cilat më pas nuk i kthente, si dhe blinte e regjistronte makina në emër të personave të tretë ose kompanive fiktive. Po ashtu, sipas autoriteteve, në aktivitetin e tij përdoreshin edhe automjete të vjedhura, kryesisht me origjinë nga Greqia.
Rrjeti mendohet të ketë funksionuar përmes celulave të organizuara në Greqi, Bullgari dhe Rumani, ndërsa anëtarët e tij lëviznin vazhdimisht në vendet e Ballkanit për të koordinuar itineraret e trafikimit.
Europol mbështeti operacionin duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit operacional mes autoriteteve dhe duke dërguar në Greqi një ekspert me një zyrë të lëvizshme, që mundësoi verifikime në kohë reale në bazat evropiane të të dhënave.
