Laporta konfirmon goditjen e radhës/ Barcelona prezanton nesër yllin e ri nga Borussia Dortmundi(FOTO)
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar ardhjen e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi, i cili pritet të prezantohet zyrtarisht si lojtari më i ri i klubit katalanas.
Pas rikthimit nga New Yorku, ku ndoqi nga afër finalen e Kupës së Botës, Laporta u ndal për pak çaste para mediave dhe konfirmoi përfundimin e marrëveshjes.
“Ai do të prezantohet nesër”, deklaroi shkurt kreu i Barcelonës, duke i dhënë fund spekulimeve rreth transferimit të sulmuesit të Borussia Dortmundit.

Adeyemi ka kaluar me sukses testet mjekësore javën e kaluar dhe tashmë pritet vetëm ceremonia zyrtare e prezantimit. Barcelona ka arritur marrëveshje me klubin gjerman për transferimin e 23-vjeçarit në një operacion fillestar prej 22 milionë eurosh, ndërsa me bonuset e performancës shuma mund të arrijë deri në 31 milionë euro.
Sulmuesi gjerman do të nënshkruajë kontratë afatgjatë deri në vitin 2031 dhe shihet si një nga investimet kryesore të klubit për të ardhmen.
Drejtuesit e Barcelonës besojnë se shpejtësia, aftësitë individuale dhe fleksibiliteti i Adeyemit në repartin ofensiv do t’i japin skuadrës më shumë alternativa në sezonin e ri.
Gjatë deklaratës së tij, Laporta vlerësoi edhe suksesin e tetë lojtarëve të Barcelonës me kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës, duke e cilësuar si një dëshmi të punës së akademisë dhe projektit sportiv të klubit.
Ndërkohë, presidenti katalanas nuk komentoi zërat për interesimin ndaj Julian Alvarez dhe as të ardhmen e Ferran Torresit, duke lënë të hapura mundësitë për zhvillime të reja gjatë merkatos së verës.


