Vala e të nxehtit në Itali arrin kulmin, 18 qytete në alarm të kuq

Vala e madhe e të nxehtit në Itali po arrin kulmin të martën, ndërsa numri i qyteteve të vendosura në alarm të kuq nga Ministria e Shëndetësisë u rrit nga 17 të hënën në 18.

Qyteti i Cagliarit iu bashkua Barit, Campobassos, Catanias, Civitavecchias, Firences, Frosinones, Genovas, Latinas, Mesinës, Napolit, Palermos, Perugias, Pescaras, Reggio Calabrias, Rietit, Romës dhe Viterbos në nivelin maksimal të alarmit të martën.

Parashikohet që temperaturat të ulen disi të mërkurën, kur numri i qyteteve në alarm të kuq do të bjerë në shtatë: Cagliari, Catania, Mesina, Napoli, Palermo, Reggio Calabria dhe Roma.

Ministria italiane e Shëndetësisë monitoron 27 qytete të mëdha për paralajmërimet e saj.

Alarmi i kuq (Niveli 3) tregon një emergjencë nga vala e të nxehtit, me temperatura të larta të zgjatura dhe rrezik të madh për shëndetin e popullatës në përgjithësi, përfshirë edhe të rinjtë në gjendje të mirë shëndetësore.

Të gjitha valët e të nxehtit të këtij viti janë lidhur me një numër vdekjesh dhe kanë shkaktuar gjithashtu probleme për ekonominë, veçanërisht për sektorin e bujqësisë.

Shkencëtarët thonë se kriza klimatike e shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë nga aktiviteti njerëzor po i bën ngjarjet ekstreme të motit, si valët e të nxehtit, thatësirat, stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet, më të shpeshta dhe më intensive.

Megjithëse ka shumë burime të gazeve serrë që po shkaktojnë ngrohjen globale, faktori kryesor mbetet djegia e lëndëve djegëse fosile, si nafta, gazi dhe qymyri, shitja e të cilave gjeneron fitime të mëdha për kompanitë më të mëdha energjetike në botë.