770 kg k*kainë në kontejnerin me banane, zbulohet ngarkesa 250 milionë euro në portin italian

Një sasi prej 770 kilogramësh kokainë është sekuestruar në portin e Vado Ligure në Itali, në një operacion të zhvilluar nga autoritetet italiane kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Ngarkesa me vlerë rreth 250 milionë euro në tregun e paligjshëm u zbulua e fshehur në një kontejner frigoriferik që kishte mbërritur nga Ekuadori.

Operacioni u krye nga Guardia di Finanza në bashkëpunim me autoritetet doganore italiane, pas kontrolleve të kryera ndaj një kontejneri që transportonte paleta me banane. Brenda ngarkesës, efektivët zbuluan paketimet me kokainë, e cilësuar nga autoritetet si me pastërti të lartë.

Sipas hetimeve paraprake, kontejneri kishte hyrë në Itali nga një prej porteve kryesore të Ekuadorit dhe dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të narkotikëve. Autoritetet po punojnë për të identifikuar personat përgjegjës dhe destinacionin final të drogës.

Sekuestrimi në Vado Ligure konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit në këtë port. Ky është operacioni i dytë i rëndësishëm brenda pak javësh në të njëjtën zonë, pasi më herët u sekuestruan edhe 340 kilogramë kokainë me vlerë rreth 120 milionë euro.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të linjës së furnizimit dhe rrjetit kriminal që qëndron pas transportit të ngarkesës.