Venezuela tronditet nga katastrofa sizmike/ Mbi 5,200 viktima dhe mijëra të pastrehë
Bilanci i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor vijon të rritet, duke arritur në të paktën 5,278 të vdekur.
Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të publikuara nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 70 viktima të reja, ndërsa numri i të plagosurve ka shkuar në 16,740 persona.
Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 shkaktuan dëme të mëdha, veçanërisht në zonat bregdetare të shtetit La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura, ku ende po nxirren viktima nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Ndërkohë, mbi 23 mijë persona kanë mbetur pa strehë dhe janë vendosur në më shumë se 100 kampe të përkohshme.
Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, ka premtuar ndërtimin e banesave të reja për familjet e prekura. Ajo bëri të ditur se deri në dhjetor pritet të dorëzohen rreth 4 mijë banesa, ndërsa qeveria synon ndërtimin e mbi 10 mijë shtëpive të reja deri në vitin 2027.
Katastrofa sizmike konsiderohet një nga më të rëndat që ka goditur Venezuelën në dekadat e fundit, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për rikuperimin e zonave të shkatërruara.

