Qori rrëfen tmerrin në Zvërnec: Banda me kapuçë i vë pistoletën qytetarit para policisë. Atje u sfidua shteti

Në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, u rikthye në vëmendje ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë që u shënua të dielën në Zvërnec, ku u hodh dritë mbi përdorimin e dhunës ekstreme dhe bandave private në zonën e Zvërnecit.

Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë deklaroi se banorët e zonës po përballen me një zaptim brutal të pronës së përbashkët, të shoqëruar me metoda që rikthejnë kujtesën e regjimeve fashiste të shekullit të kaluar.

Në cilësinë e dëshmitari në vendngjarje, Qori theksoi se persona të paidentifikuar me kapuçë kanë rrëmbyer një qytetar, duke përdorur dhunë e madje duke i vendosur pistoletën në kokë.

Ajo çfarë e bën këtë skandal edhe më tronditës është prania e forcave të Policisë së Shtetit, të cilët, megjithëse të mirëpajisur, raportohet se kanë qëndruar pasivë dhe kanë vëzhguar ngjarjen si "robotë", pa ndërhyrë për të mbrojtur qytetarin.

Ky akt i rëndë dhune u konsiderua nga qori si pika që derdhi gotën, apo si "fija e kashtës që theu kurrizin e devesë". Pamjet dhe dëshmitë e tërheqjes zvarrë të qytetarit nuk janë parë thjesht si një sulm individual, por si një mesazh dhune dhe terrori ndaj të gjithë qytetarëve që kundërshtojnë zaptimin e territoreve.

Kjo ngjarje ka ndezur një revoltë më të gjerë, e cila tashmë ka marrë përmasa masive me dhjetëra mijëra protestues në sheshin e Tiranës prej katër ditësh.

Qori tha se nuk bëhet fjalë vetëm për kauza ekologjike apo pronësore, por për një përballje direkte me struktura që veprojnë mbi ligjin dhe paralizojnë vetë institucionet e sigurisë. Qytetarët kanë mbushur sheshet me kërkesa të qarta politike, duke refuzuar të nënshtrohen përpara këtij terrori lokal.

PËR MË SHUMË NDIQNI DISKUTIMET NË EMISIONIN “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”