Prindër, kujdes me vapën! Shenjat që tregojnë se fëmija ka nevojë për hidratim

Nervozizmi, lodhja, urina me ngjyrë të errët, tharja e buzëve dhe sytë e futur janë disa nga shenjat që tregojnë se një fëmijë mund të jetë i dehidratuar dhe që duhet të tërheqin menjëherë vëmendjen e prindërve, shkruan repubblica.it.

Dehidratimi te fëmijët përbën pothuajse 30% të shtrimeve pediatrike në spital që konsiderohen të shmangshme dhe është një nga problemet shëndetësore më të zakonshme në moshat e vogla.

Megjithatë, shpesh ai nënvlerësohet ose nuk njihet nga prindërit, edhe pse në disa raste mund të kthehet në një emergjencë mjekësore me pasoja serioze. Me ditët gjithnjë e më të nxehta dhe temperaturat rekord, pirja e ujit bëhet një prioritet absolut.

Shenjat që shpesh kalojnë pa u vënë re

“Në shoqërinë tonë, shqetësimi për shëndetin e fëmijëve përqendrohet kryesisht te temperatura dhe mungesa e oreksit”, shpjegon Alberto Ferrando, president i Shoqatës së Pediatërve Jashtëspitalorë të Ligurias.

“Por edhe një fëmijë pa temperaturë mund të mos ndihet mirë. Problemi është se shpesh prindërit nuk e vënë re sjelljen e pazakontë të fëmijës së tyre. Për shembull, përgjumja e tepruar, dhimbjet e vazhdueshme të barkut, urinimi i pakët ose humbja e shpejtë e peshës brenda 24 orëve janë sinjale alarmi që duhet t’i shtyjnë prindërit të konsultohen me pediatrin”, thotë ai.

Dëmet e dehidratimit në tru

Mungesa e ujit lë pasoja edhe më pak të dukshme, veçanërisht në tru.

“Edhe një ndryshim minimal në ekuilibrin e lëngjeve mund të ndikojë në vëmendje, kujtesë dhe energji, dhe kjo vihet re veçanërisht te fëmijët. Hidratimi i pamjaftueshëm mund të shkaktojë vështirësi në përqendrim, nervozizëm dhe ngadalësim të reflekseve motorike”, shpjegon Hellas Cena, drejtuese e Laboratorit të Dietetikës dhe Ushqyerjes Klinike në Universitetin e Pavias dhe presidente e Shoqatës Kombëtare të Specialistëve dhe Shkencëtarëve të Ushqyerjes (Ansisa).

Shkaqet kryesore

Shkaku më i zakonshëm i dehidratimit te fëmijët është gastroenteriti akut, pra diarreja, e cila shpesh shoqërohet edhe me të vjella.

Ajo shkaktohet nga viruse si rotavirusi, më i shpeshti, norovirusi – i njohur si “virusi i stomakut”, veçanërisht i përhapur gjatë dimrit – si dhe adenovirusi.

“Gastroenteritet bëjnë që organizmi të humbasë sasi të mëdha uji dhe kripërash minerale përmes jashtëqitjes, atë që ne e quajmë ‘deti i brendshëm’ i trupit”, shpjegon Ferrando.

“Ekzistojnë shkallë të ndryshme dehidratimi: i lehtë, i moderuar dhe i rëndë. Në çdo rast, fëmijës duhet t’i jepet një solucion rehidratues që përmban kalium, natrium dhe klor për të zëvendësuar atë që ka humbur. Nëse shija e kripur nuk pëlqehet, këshillohet që lëngu të jepet i ftohtë. Ndërsa lëngjet e frutave, Coca-Cola dhe çajrat e ëmbëlsuar duhen shmangur, sepse në rast diarreje mund ta përkeqësojnë situatën”, shton ai.

Vaksina kundër rotavirusit

Që nga viti 2017 ekziston një vaksinë jo e detyrueshme kundër rotavirusit, shumë efektive dhe e rekomanduar të bëhet brenda gjashtë muajve të parë të jetës.

Para përhapjes së vaksinimit, i cili në vitin 2020 arriti një mbulim prej 62,8%, rotavirusi shkaktonte rreth 67% të rasteve të gastroenteritit. Sot kjo shifër ka rënë në 22%. Ndërkohë, incidenca e adenovirusit është rritur deri në 50%.

“Kjo nuk është aspak një pasojë negative e vaksinës, e cila përkundrazi kryen në mënyrë perfekte funksionin e saj”, shpjegon Ferrando.

“Në terminologjinë shkencore quhet ‘zëvendësim viral’ dhe do të thotë se kur zvogëlohet virusi dominues, viruse të tjera zënë hapësirën e liruar. Shpresojmë që kërkimi shkencor të arrijë së shpejti të zhvillojë një vaksinë efektive edhe kundër adenovirusit.”

Ushqyerja e duhur ndihmon hidratimin

Një rol shumë të rëndësishëm luan edhe ushqyerja.
“Frutat dhe perimet kontribuojnë ndjeshëm në ekuilibrin e lëngjeve, pasi janë natyrshëm të pasura me ujë dhe mikronutrientë që ndihmojnë në kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga djersitja. Ushqime si shalqiri, pjepri, pjeshkët, kastravecat, kungulleshkat, marulja dhe domatet mund të kontribuojnë realisht në hidratimin e përditshëm”, shpjegon profesorja Cena.

Jo lëngjeve dhe pijeve me sheqer

Shpesh të rriturit nuk kanë një kulturë të mjaftueshme ushqimore, jo vetëm për ushqimet por edhe për pijet që u japin fëmijëve.

“Lëngjet industriale dhe pijet me sheqer nuk e zëvendësojnë ujin. Përkundrazi, ato shtojnë sheqerna dhe kalori të panevojshme”, paralajmëron Hellas Cena.

“Në vend të tyre, është më mirë të zgjidhet një ujë mineral me përmbajtje të përshtatshme kalciumi dhe magnezi, i cili mund të ndihmojë në rikthimin e elektroliteve të humbura përmes djersitjes.”

Uji, thelbësor për organizmin

Pediatrit dhe nutricionistët theksojnë se është e nevojshme të informohen vazhdimisht prindërit për rëndësinë e hidratimit.

“Ne pediatrit e familjes duhet t’i përsërisim këto këshilla vazhdimisht, edhe nëse dukemi të përsëritur”, thotë Ferrando.