A e dini se sot është Dita Botërore e Biçikletës?

Që nga themelimi i saj në vitin 2018, Dita Botërore e Biçikletës është shënuar çdo vit më 3 qershor.

E miratuar nëpërmjet një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dita Botërore e Biçikletës vlerëson “jetëgjatësinë dhe lehtësinë në përdorim të biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm, i besueshëm, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin, që nxit kujdesin mjedisor dhe shëndetin”.

Mbështetësit e këtij mjeti inkurajojnë përdorimin e biçikletës për zhdukjen e varfërisë; për të çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm; për të forcuar arsimin, përfshirë edukimin fizik, për fëmijët dhe të rinjtë; për të promovuar shëndetin; për të parandaluar sëmundjet; dhe për të lehtësuar përfshirjen sociale dhe një kulturë paqeje.

Pandemia COVID-19 dhe kriza të tjera, ndryshuan nevojat dhe sjelljen e transportit, duke i shtyrë shumë qytete të rishikojnë sistemet e tyre të transportit. Çiklizmi paraqitet si një alternativë e shëndetshme, e gjelbër dhe ekonomike e transportit. Organizata Botërore e Shëndetit promovon në mënyrë aktive çiklizmin për përfitimet e tij të shumta për shëndetin dhe mjedisin, duke përfshirë rritjen e aktivitetit fizik, uljen e sëmundjeve jo të transmetueshme si kanceri dhe diabeti, dhe uljen e ndotjes së ajrit dhe zhurmës.

Aktiviteti i rregullt fizik ofron përfitime të konsiderueshme për shëndetin fizik dhe mendor. Tek fëmijët dhe adoleshentët, përdorimi i biçikletës nxit shëndetin e kockave, inkurajon rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të muskujve, si dhe përmirëson zhvillimin motorik dhe njohës.

Aktualisht 31% e të rriturve dhe 80% e adoleshentëve nuk i përmbushin nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik. Vlerësimi global i kostos së pasivitetit fizik për sistemet publike të kujdesit shëndetësor midis viteve 2020 dhe 2030 është rreth 300 miliardë dollarë amerikanë (afërsisht 27 miliardë dollarë amerikanë në vit) nëse nivelet e pasivitetit fizik nuk ulen.