Zbuloni katër sjelljet kryesore të CEO-ve të suksesshëm!

Në botën e biznesit, një nga pozicionet më të rëndësishme në një kompani është ai i CEO-së, ose “Chief Executive Officer”, që në shqip përkthehet Kryeshef Ekzekutiv. CEO është personi me përgjegjësinë më të lartë për drejtimin e një kompanie.

Çfarë duhet të marrin parasysh bordet kur punësojnë dikë për një rol të lartë në hierarkinë e kompanisë? Katër studiues të studimit 10-vjeçar The CEO Genome Project analizuan këtë pyetje dhe zbuluan tiparet që kryeshefët ekzekutivë më të suksesshëm kanë të përbashkët. Zbulimet e tyre u përmbledhën në botimin e majit/qershorit 2017 të Harvard Business Review.

Një gjetje befasuese ishte se, përderisa njerëzit e hapur shpesh perceptohen si udhëheqës karizmatikë, kryeshefët ekzekutivë më të mbyllur shpesh arrijnë rezultate më të mira në kompanitë e tyre. “Analiza jonë tregoi se, përderisa bordet shpesh preferojnë individë karizmatikë, ata më të mbyllurit kanë më shumë gjasa të tejkalojnë pritshmëritë e bordeve dhe investitorëve,” shkruajnë studiuesit.

Një bord ka dy herë më shumë gjasa të japë një rol të lartë një kandidati me natyrë të sigurt, por studiuesit zbuluan se ky aspekt i personalitetit nuk ndikon domosdoshmërisht në performancën reale të udhëheqësit. Për më tepër, jo të gjithë ata që marrin pozicione të larta kanë një karrierë të papërlyer: 45% e kandidatëve për Kryeshef Ekzekutiv kishin kaluar të paktën një “sherr të madh karriere”, por 78% e tyre më pas arritën të ofronin rezultate të shkëlqyera në rolin e ri.

Megjithëse mund të duket befasuese, studimi tregoi se vetëm 7% e kryeshefëve ekzekutivë me performancë të lartë kishin diplomuar në një universitet Ivy League, ndërsa 8% kurrë nuk kishin përfunduar një diplomë.

Në përfundim, studiuesit identifikuan katër sjellje të zakonshme që shumica e kryeshefëve ekzekutivë të suksesshëm shfaqin:

Vendosmëria – aftësia për të marrë vendime shpejt dhe me bindje, pavarësisht nga rezultatet. Individët e përshkruar si “të vendosur” kishin 12 herë më shumë gjasa të jenë kryeshefë ekzekutivë me performancë të lartë.
Kuptimi i prioriteteve të aksionerëve – dhe aftësia për të dhënë rezultate bazuar tek këto prioritete. Ekzekutivët që bashkëpunonin me aksionerët kishin 75% më shumë gjasa të kenë sukses.

Mendimi afatgjatë dhe përshtatja ndaj ndryshimeve – kryeshefët efikasë e konsiderojnë të ardhmen afatgjatë të kompanive të tyre rreth 50% të kohës, dhe ata që përshtaten shpejt me ndryshimet kanë 6.7 herë më shumë gjasa për sukses.
Mbështetja dhe besueshmëria – kandidatët me rezultate të larta në këtë fushë kishin dy herë më shumë gjasa të zgjidhen dhe 15 herë më shumë gjasa për të pasur sukses në rolin e tyre. “Bordet dhe investitorët preferojnë njerëz të qëndrueshëm, dhe punonjësit besojnë udhëheqësit e parashikueshëm,” shpjegojnë studiuesit.