ASLLANI: KEMI KUALITET/ Hasa jeton emocionet e para me Kombëtaren A

Kristjan Asllani beson se Shqipëria ka cilësinë e duhur për të nisur me rezultate pozitive epokën e re të Kombëtares. Mesfushori kuqezi u shpreh optimist në prag të sfidës me Izraelin, duke vlerësuar potencialin e grupit. Ndërkohë, Luis Hasa e cilësoi grumbullimin e parë me Kombëtaren A si realizimin e një ëndrre dhe premtoi të japë maksimumin për fanellën kuqezi.

Mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani, ka folur me optimizëm në prag të ndeshjes miqësore ndaj Izraelit, duke theksuar se grupi është gati për testin e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Në intervistën për FSHF TV, Asllani u shpreh se skuadra po pret të njohë më mirë kërkesat e teknikut italian, ndërsa vlerësoi edhe punën e paraardhësit të tij, Sylvinho.

"Ndihem shumë mirë. Jemi gati për këto dy ndeshje. Tani kemi edhe trajner të ri dhe do të shohim se çfarë do të na kërkojë. Dua të falënderoj edhe Sylvinhon, sepse më ka ndihmuar shumë personalisht. Italianët punojnë shumë në anën taktike, por do të shohim."

Mesfushori kuqezi beson se Shqipëria ka cilësinë e nevojshme për të qenë konkurruese dhe synimi kryesor mbetet fitorja përpara tifozëve në “Air Albania”. Sipas Asllanit, atmosfera që krijohet në stadiumin kombëtar është një motivim shtesë për skuadrën.

"Për mua ky ekip ka shumë kualitet dhe cilësi. Tani mendoj vetëm për Kombëtaren. Ne duam t’i japim një fitore tifozëve në Air Albania, sepse të luash aty është gjëja më e bukur në botë."

Një nga risitë e listës së parë të trajnerit Rolando Maran është edhe grumbullimi i mesfushorit të ri Luis Hasa, i cili ka marrë për herë të parë ftesën nga Kombëtarja A. Talenti 21-vjeçar ka nisur përgatitjet me kuqezinjtë për ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, duke e cilësuar këtë moment si realizimin e një ëndrre të madhe.