Tension në Kenia! Dy persona vr*ten gjatë protestave pranë bazës ushtarake!

Dy persona janë qëlluar për vdekje në qytetin qendror të Kenias, Nanyuki, gjatë protestave kundër planeve të Shteteve të Bashkuara për të krijuar një qendër izolimi për Ebola në një bazë ushtarake pranë zonës.

Njëri prej viktimave u qëllua në një zonë pranë Laikipia Airbase, ku po zhvillohej një protestë. Ai ndërroi jetë pasi u dërgua në spital nga miqtë e tij. Viktima tjetër u soll i vdekur në spital nga ushtarët.

Rrethanat e vdekjes së tyre nuk janë të qarta dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar. Një zëdhënës i policisë tha për agjencinë Reuters se nuk kishte informacion për viktima.

Të hënën, qindra protestues marshuan në qytet, duke bllokuar rrugë dhe duke djegur goma, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Një lider komunitar, Patrick Wahome, tha për BBC se një nga viktimat ishte qëlluar teksa po kthehej në shtëpi pas mbylljes së biznesit të tij.

Ende nuk janë konfirmuar rrethanat e vdekjes së viktimës së dytë. Të dy trupat, që ndodhen në morgun e spitalit, kanë shenja plagësh me armë zjarri, njëri në gjoks dhe tjetri në shpatull./BBC

Qyteti ishte i qetë të martën në mëngjes, por me prani të shtuar të forcave të sigurisë në rrugë.

Planet e SHBA për krijimin e një qendre trajtimi për Ebola në Kenia kanë shkaktuar shqetësime publike për rrezikun e përhapjes ndërkufitare të infeksionit.

Qendra me 50 shtretër pritet të menaxhohet nga mjekë amerikanë dhe synon trajtimin e shtetasve amerikanë të prekur nga shpërthimi aktual në Republikën Demokratike të Kongos.

Kenia nuk ka raportuar raste me Ebola deri më tani.

Të hënën, presidenti William Ruto mbrojti planin, duke thënë se vendi kishte marrë të gjitha masat për mbrojtje dhe se bëhej fjalë për një marrëveshje me SHBA.

Gjykata e Lartë ka pezulluar përkohësisht hapjen e qendrës dhe ka kërkuar transparencë mbi detajet e projektit.

Ndërkohë, shoqatat e mjekëve dhe organizata të tjera kanë kundërshtuar planin, duke paralajmëruar rrezik për popullsinë lokale.