TRAFIKIM NJERËZOR NË ONLYFANS! Policia çeke godet rrjetin e dyshuar

Katër persona janë akuzuar në Çeki për trafikim njerëzor dhe shfrytëzim të të rejave për përmbajtje erotike në internet. Sipas hetimeve, viktimat detyroheshin përmes presionit psikologjik të krijonin materiale gjithnjë e më eksplicite.

Autoritetet çeke kanë ngritur akuza ndaj katër personave dhe një kompanie, të dyshuar për trafikim njerëzor dhe shfrytëzim të të rejave për prodhimin e përmbajtjeve erotike në platformën OnlyFans dhe rrjete të tjera sociale.

Sipas policisë, grupi kishte rekrutuar dhjetëra vajza të cilat sapo kishin mbushur moshën 18-vjeçare.

Hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë përfituar nga papjekuria, mungesa e përvojës dhe situata e vështirë sociale e viktimave për t’i bindur ato të krijonin materiale erotike pa pasur kontroll mbi përdorimin e tyre.

Pas fitimit të besimit të vajzave, të akuzuarit i shtynin ato të nënshkruanin kontrata për menaxhimin e profileve në rrjetet sociale, kryesisht në OnlyFans.

Sipas policisë, shumica e viktimave nuk kishin akses në llogaritë e hapura në emrin e tyre dhe nuk kontrollonin publikimin apo shpërndarjen e materialeve.

Hetuesit thonë se me kalimin e kohës grupi përdorte presion psikologjik, kërcënime me gjoba dhe ndalim pagesash për t’i detyruar viktimat të prodhonin përmbajtje gjithnjë e më eksplicite, shpesh kundër vullnetit të tyre.

Sipas autoriteteve, aktiviteti i dyshuar ka gjeneruar të ardhura prej të paktën 3.6 milionë koronash çeke, ose rreth 150.000 euro.

OnlyFans, platforma e krijuar në vitin 2016, numëron qindra milionë përdorues në mbarë botën dhe u mundëson krijuesve të përmbajtjes të shesin foto dhe video me pagesë. Megjithatë, vitet e fundit ajo është përballur me kritika dhe hetime lidhur me publikimin e materialeve pa pëlqimin e personave të përfshirë.

Një raport i mëparshëm ka dokumentuar dhjetëra ankesa në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe nga persona që pretendojnë se janë shfaqur në përmbajtje me natyrë seksuale pa autorizimin e tyre.