Gana: Ligji anti-LGBTQ+, kalon për shqyrtim para miratimit final!
Gana ka bërë të ditur se ligji i ri që kriminalizon aktivitetet LGBTQ+ do të kalojë në një proces shqyrtimi përpara se të miratohet përfundimisht, ka deklaruar presidenti i vendit.
Duke folur gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti John Mahama tha se këshilltarët ligjorë dhe prokurori i përgjithshëm do të “merren me të”, pasi ligji është propozuar nga deputetë dhe nuk është një projektligj i qeverisë.
Ligji, i miratuar nga parlamenti të premten, parashikon deri në tre vite burg për personat që identifikohen si lezbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë apo queer, si dhe vendos një “detyrim për të raportuar” rastet e ndaluara tek autoritetet.
“Do ta shqyrtojmë dhe do të sigurohemi që gjithçka të jetë në rregull,” tha Mahama, duke shtuar se nëse ka probleme, ligji do t’i kalojë Këshillit të Shtetit për konsultim.
Që prej ardhjes në pushtet vitin e kaluar, Mahama është përballur me presion nga udhëheqës fetarë për të forcuar masat kundër komunitetit LGBTQ+, në një vend ku marrëdhëniet e njëjta gjini janë të ndaluara sipas ligjeve të trashëguara nga periudha koloniale britanike.
Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje në Londër, ai tha gjithashtu se ka pasur disa probleme procedurale në miratimin e ligjit, të cilat po trajtohen nga kryetari i parlamentit.
Ky është rasti i dytë kur një nismë e tillë merr mbështetje nga deputetët. Një projektligj i ngjashëm ishte paraqitur edhe në vitin 2021, pas mbylljes së një qendre për të drejtat LGBTQ+ në kryeqytetin Accra.
