SULM NDAJ ZGJERIMIT! Nikollovski: BE po mashtron vendet e Ballkanit Perëndimor
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke deklaruar se qytetarët e Ballkanit Perëndimor po gënjehen për perspektivën e anëtarësimit. Sipas tij, procesi i zgjerimit ka përfunduar që me hyrjen e Kroacisë në BE në vitin 2013.
Një deklaratë e fortë vjen nga Shkupi kundër politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, pretendon se Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj dhe se qytetarëve të Ballkanit Perëndimor po u shitet një perspektivë që nuk përputhet me realitetin.
Në një intervistë për Gazetën Koha, Nikollovski tha se zgjerimi i BE-së është ndalur praktikisht që nga viti 2013, kur Kroacia u bë anëtare e bllokut europian.
Aleksandar Nikollovski: "Njerëzit po gënjehen në mënyrë të pandershme. Zgjerimi u ndal në vitin 2013 me Kroacinë. Nëse do të ishte ndryshe, trembëdhjetë vjet do të kishin mjaftuar që kjo të provohej."
Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron te vendet aspirante, por te mungesa e vullnetit politik brenda vetë Bashkimit Europian.
Nikollovski pretendon se shumica e vendeve më të fuqishme të unionit nuk mbështesin zgjerimin, duke e bërë procesin gjithnjë e më të vështirë për vendet e Ballkanit.
Megjithatë, deklaratat e tij bien ndesh me qëndrimin zyrtar të Brukselit. Institucionet europiane kanë përsëritur vazhdimisht se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe kanë inkurajuar vendet e rajonit të vazhdojnë reformat.
Ndërsa Shqipëria konsiderohet një nga vendet që po avancon më shpejt në negociatat e anëtarësimit dhe Mali i Zi mbetet kandidati më i avancuar në rajon, Maqedonia e Veriut vijon të përballet me pengesa politike.
Procesi i integrimit të Shkupit mbetet i kushtëzuar nga ndryshimet kushtetuese që kërkojnë përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, një kërkesë e vendosur nga Bullgaria dhe e mbështetur nga Bashkimi Europian.
Pa sigurimin e shumicës prej dy të tretash në Parlament për këto ndryshime, negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në nuk mund të ecin përpara, pavarësisht se vendi hapi zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit në korrik të vitit 2022

